Në Cannes po zhvillohet një prej festivaleve më prestigjioze të filmit, i cili çdo vit tërheq numër të madh vizitorësh nga të katër anët e botës. Kjo, për shkak të programit të pasur të filmave në garë për “Palmën e Artë”, por edhe premierave botërore të projekteve të disa prej yjeve më të shquara të Hollywoodit. Në fund të javës jepet edhe premiera e Kosovës, “Rrugës”, film i Samir Karahodës.
Fundjava u karakterizua me disa premiera glamuroze, si ajo e komedisë së errët të Guy Maddinit, “Rumors”, ku rolin protagonist e luan aktorja australiane, Cate Blanchett.
Ylli i kinematografisë parakaloi mbi qilimin e kuq të shtruar në “Pallatin e Festivaleve dhe Kongreseve”, e shoqëruar nga regjisori kanadez – i cili prezantohet për herë të parë në Cannes - dhe pjesa tjetër e kastës, përfshirë këtu dhe aktoren Alicia Vikander.
“Rumors” është një film satirik politik. Udhëheqësit botërorë takohen në G7, por humbasin në pyll, ndërsa përpiqen të hartojnë një deklaratë të përbashkët për një krizë globale të paspecifikuar. Të rrethuar nga mjegulla e dendur dhe të kërcënuar nga zombie, ata lundrojnë mes pasioneve të tyre torturuese.
Të dielën, qilimi i kuq u rezervua për kastën e filmit, “Horizon: A American Saga”, që e riktheu dhe një herë aktorin Kevin Costner në rolin e regjisorit. Premiera e filmit në Cannes ishte glamuroze falë yjeve pjesëmarrëse si, Sienna Miller, Luke Wilson dhe Abbry Lee. “Horizon: An American Saga” është një projekt të cilin Costner synon ta realizojë në katër pjesë. Në Cannes u shfaq pjesa e parë e filmit “Horizon: Chapter One”, dhe pas një muaji pritet të lansohet edhe nëpër kinematë botërorë. Pjesa e dytë e filmit vjen në ekran të madh në muajin gusht. Kurse, Costner ka bërë të ditur se tashmë e ka gati skenarin e filmit të tretë dhe të katërt. Regjisori ka më shumë se 30 vjet që tenton ta finalizojë këtë projekt që deri më tani i ka kushtuar 100 milionë dollarë.
Kevin Costner, që shquhet për role të shumta në filma me buxhet të lartë, rikthehet si regjisor për herë të katërt në karrierën e tij. Për herë të parë e sprovoi veten prapa kamerave në vitin 1990 me filmim “Dances With Wolves”, për të vazhduar pastaj me projektin e vitit 1997, “The Postman” dhe ai i vitit 2003, “Open Range”. “Horizon: An American Saga” u shfaq në Cannes jashtë garës për çmimin e madh.
Dennis Quaid, Demi Moore dhe Margaret Qualley, po ashtu e hijeshuan qilimin e kuq me rastin e premierës së filmit të tyre të ri, “The Substance”, të dielën mbrëma.
Filmi horror i shkruar dhe drejtuar nga Coralie Fargeat, ndjek historinë e një aktoreje të Hollywoodit më në moshë, e quajtur Elisabeth Sparkle – luajtur nga Demi Moore – e cila ngatërrohet në një eksperiment fantastiko-shkencor në kërkim të përmirësimit të trupit.
“The Substance” është në garën e ngushtë sivjet për “Palmën e Artë”.
Në pasditen e së hënës u shfaq premiera e dramës së re të Ali Abbasit, “The Apprentice”. Mbi qilim të kuq ai shoqërohej nga aktorët, Sebastian Stan, Maria Bakalova dhe Martin Donovan. Filmi e ekranizon ngjitjen e të riut Donald Trump drejt suksesit në industrinë e pasurive të paluajtshme, gjatë viteve ‘70 dhe ‘80. Premiera zuri vend gjashtë muaj para zgjedhjeve të ardhshme presidenciale në Shtetet e Bashkuara, të cilat Trumpi shpreson se do t’i fitojë.
Regjisori iranian, Abbasi, ka qenë pjesë e Festivalit të Cannes edhe në vitin 2022 me filmin “Holy Spider”. “The Apprentice” është njëri prej 22 projekteve në garë për “Palmën e Artë” sivjet. Fituesi do të përzgjidhet nga juria e festivalit, e udhëhequr nga regjisorja Greta Gerwig.
Në javën e parë të festivalit të Cannes janë shfaqur filmat, “Furiosa: A Mad Max Saga”, me regji të George dhe aktorë protagonistë, Annya Taylor-Joy dhe Chris Hemsworth, “Megalopolis”, i regjisorit ikonik Francis Ford Copola, ku luajnë aktorët Adam Driver, Giancarlo Esposito, Jon Voight, Laurence Fishburne, Aubrey Plaza, Shia LaBeouf. Pastaj filmat si ai i regjisorit grek Yorgos Lanthimos, “Kinds of Kindness” me një kastë aktorësh yje si, Emma Stone dhe Willem Dafoe, “Emilia Perez”, ku luajnë aktoret Zoe Saldaña dhe Selena Gomez, “The Surfer”, një film i zhanrit triler në të cilin luan aktori i famshëm, Nicolas Cage, “Oh Canada” me veteranët e kinematografisë, Uma Thurman dhe Richard Gere, në rolet protagoniste dhe të tjerë.
Ndërkohë, Qendra Kinematografike e Kosovës ka hapur shtandin në atë që njihet “Marché du Film” (Tregu i Filmit), më i madhi në botë i fushës së kinematografisë. Sivjet Kosova me filmin e shkurtër “Rrugës“ të Samir Karahodës, është konkurrente për çmimin e madh. Posteri i “Rrugës” – që do ta ketë premierën botërore të premten – është qendror në pjesën e brendshme të shtandit nr. 138. Kinematografia kosovare në Cannes kishte nisur historinë pikërisht me Festivalin ndërkombëtar të dokumentarëve dhe filmave të shkurtër “DokuFest”. Në qershor të vitit 2021 për herë të parë një film vendor ishte futur në garë për “Palmën e Artë”. Filmi i shkurtër i Samir Karahodës, “Pa vend” ishte pjesë e konkurrencës zyrtare në kategorinë e filmave të shkurtër. Atë vit gjithashtu ishte dhënë premiera botërore e filmit “Luaneshat e kodrës” nën regji të Luana Bajramit, në kuadër të “Director's Fortnight” të Festivalit të Cannes. Në anën tjetër, edhe një aktor nga Kosova parvjet ishte rikthyer në edicionin e 75-të të Festivalit të Cannes. Alban Ukaj kishte qenë në Festival prej 17 deri më 28 maj si rrjedhojë e rolit të tij në filmin “Tori and Lokita” të vëllezërve Jean-Pierre dhe Luc Dardenne. Ukaj ishte në Cannes po me një projekt kinematografik të vëllezërve Dardenne më 2008, kur së bashku me aktoren Arta Dobroshi luanin në filmin “Heshtja e Lornës”.