Kulturë

“Lament of the Air” e Donika Rudit me urgjencën për ajrin, me premierë në Belgjikë

Descriptive Text

“Lament of the Earth” gjatë interpretimit në Prishtinë, në qershor të vitit 2022

Vjet me veprën “Lament of the Earth” kompozitorja Donika Rudi do t’i gërshetonte tingujt për të reflektuar në ruajtjen e natyrës si aktualitet global. Mesazhi i veprës ishte i qartë. Atë e përforcon edhe më ajo me titull “Lament of the Air” (Vajtimi i ajrit) për fizarmonikë, që vjen si vepra e dytë në kuadër të ciklit “Lament…”. Qyteti Pelt i Belgjikës, ku do të jepet premierë më datë 19 të këtij muaji, është pikënisja e përçimit të mesazhit

Tamam vajtim me audio e performancë ishte vepra “Lament of the Earth” e shfaqur vitin e kaluar në festivalin e artit në hapësirë publike “HAPU”. Kompozitorja Donika Rudi do t’i gërshetonte tingujt për të reflektuar në ruajtjen e natyrës si aktualitet global. Mesazhi i veprës ishte i qartë. Atë e përforcon edhe më ajo me titull “Lament of the Air” (Vajtimi i ajrit) për fizarmonikë që vjen si vepra e dytë në kuadër të ciklit “Lament…”. Qyteti Pelt i Belgjikës, ku do të jepet premierë më datë 19 të këtij muaji, është pikënisja e përçimit të mesazhit.

Për veprën “Lament of the Air” veçse është një lloj ideje kur vepra e kompozitores Rudi kishte pushtuar Parkun e Qytetit në Prishtinë në vitin 2022 në një natë të freskët qershori. Intensive bëhej prania e natyrës me efektet e instalacionin zanor, bashkë me performancën. Vajtimi për tokën dhe thirrjet për veprim zbërtheheshin nëpërmjet tingujve të transformuar e të deformuar.

Kësaj here fizarmonika e italianes Margherita Berlanda do të formësojë “imazhin” e veprës, sikurse edhe muzika elektro-akusmatike e elektronike. Gjuha e shenjave luan rol të rëndësishëm. Ato do të interpretohen nga Bruxhida Malshi.

Premierën do ta ketë në ngjarjen që e organizon  “IN SITU” për 20-vjetorin e aktivitetit. Ngjarja me bazë në Francë përshkruhet si një lloj ekosistemi që bashkon artistët me audiencën, programerët dhe instrumentistët kryesorë. Aty kompozitorja nga Kosova ishte artiste e asociuar krahas platformës evropiane për krijimin artistik në hapësirën publike në kuadër të projektit “(Un) Common Spaces”.

Nëpër tingujt e veprës së Rudit do të zbërthehet ndotja e ajrit.

“Vepra e dytë e këtij cikli fokusohet tek ajri – ndotja e ajrit dhe është vepër për fizarmonikë. Së bashku me fizarmonisten Margherita Berlanda, një javë më parë ishim në rezidencë artistike në Milano, më saktësisht në ‘BASE Milano’ në Itali. Bashkë me Margherita punuam shumë në detajet e fundit para prezantimit të veprës”, ka thënë autorja e veprës Donika Rudi, e shquar për veprat e saj elektroakusmatike.

Me të njëjtin formacion si në veprën e parë të ciklit është punuar edhe për “Lament of the Air”. Tekstin e veprës e ka shkruar Doruntina Basha, ndërsa Hana Zeqa ka punuar kostumet. Vepra e kompletuar vjen në edicionin e sivjetmë në “HAPU”, në gusht të këtij viti.

Vepra e dyte e këtij cikli eksploron temën e ajrit dhe ndotjes së ajrit, duke trajtuar veçanërisht temën e ndryshimeve klimatike dhe përvojat e reja  tingullore për komunitetin e shurdhët. Ajri (Lament of the Earth) është punuar me ekipin e njëjtë, ashtu sikur edhe në pjesën e parë”, ka thënë Rudi, e cila e ka vlerësuar edhe fizarmonisten italiane të cilën e kishte takuar gjatë rezidencës në Milano.

Italiania Berlanda shquhet për guximin e saj si artiste dhe performancën e mrekullueshme me elemente teatri.

Vepra qysh tash, kur sapo ka përfunduar prekjet finale, ka siguruar depërtimin e mesazhit në skenë ndërkombëtare. Donika Rudi, autore e veprës, ka bërë të ditur se vepra pas premierës në Belgjikë e në Kosovë në “HAPU” do të shfaqet edhe në kuadër të festivalit ndërkombëtar “ReMusica”, të cilin ajo e drejton, e më pas do të rrugëtojë edhe për në Itali, në nëntor në Milano dhe në Pergine në maj të vitit tjetër.

Ndryshimet klimatike është njëri prej fokusit të Rudit si kompozitore. Ajo ka thënë se po punon në eksplorimin e mënyrave të reja për të përjetuar muzikën, sepse thellë beson se secili mund bëjë këtë gjë me anë të çdo forme. Sikurse komuniteti i shurdhër do ta përjetojë me anë të gjuhës së shenjave. Ai është i verbër nëpërmjet tingujve. Të tjerët do ta shohin nëpërmjet performancës.

“Si kompozitore e muzikës elektroakustike dhe akusmatike, gjithmonë kam qenë e lidhur thellësisht me tingujt, veçanërisht me tingujt e përditshëm që na rrethojnë. Duke u zhytur në një botë me tekstura të ndryshme, kam pasur një vëmendje të jashtëzakonshme për të gjitha këto shtresa, tekstura tingujsh, me të cilat jemi të rrethuar. Procesi im i punës fillon me kuptimin e këtyre dallimeve dhe vazhdon me eksplorimin dhe ndërtimin e teksturave të reja deri në krijimin e veprës”, ka thënë Rudi, kompozitore e specializuar në muzikë akusmatike dhe elektroakustike.

Puna e saj varion nga kompozimet akusmatike, muzika për film, kërcim, teatër deri tek instalacionet multimediale dhe performancat. Që nga viti 2010 punon si drejtore artistike e festivalit ndërkombëtar të muzikës në Kosovë “ReMusica”, ndërsa  që nga 2022 punon si koordinatore e projektit në “EFFEA – Fondi Evropian i Festivaleve për Artistët që merren me çështje emergjente në kuadër të Asociacionit Evropian të Festivaleve – EFA.

Muzika akusmatike në të cilën ka dy dekada që është e angazhuar, është shumë domethënëse për të. Thotë se nuk ka të bëjë vetëm me tingujt e narrativën e veprës.

“Prezantimi i saj kërkon kushte të veçanta dhe një dëgjim shumë specifik, i cili mundësohet përmes ‘acousmoniumit’ ose orkestrës së altoparlantëve që shpesh e quajmë. Përmes kësaj teknike dhe interpretimit të veprës, ne arrijmë të transmetojmë dëgjuesit një dimension krejtësisht të ri, duke ndihmuar fuqinë e imagjinatës sonë dhe vizualizimin”, ka thënë kompozitorja Rudi, duke thënë se nga ky këndvështrim e ka shtyrë kurioziteti për t’u njohur edhe më thellë me përjetimin e muzikës. Veçmas me përjetimin e saj nga komuniteti me dëgjim të reduktuar. Tek ta e kishte gjetur frymëzimin për të kompozuar.

“Ishte shumë intriguese për mua të kuptoja më shumë mbi përvojat e tyre, pasi përjetimi i muzikës sigurisht që mund të ndihet në mënyra të ndryshme dhe perceptimi mund të jetë i ndryshëm. Kisha shumë pyetje, por gjithmonë kisha drojë se si t'i afrohesha dhe t'i artikuloja ato pa shkaktuar ndonjë keqkuptim. Gjatë një viti kam lexuar shumë e po ashtu zbulova shumë kompozitorë dhe muzikantë me dëgjim të reduktuar të cilët më frymëzuan”, është shprehur Rudi nëpërmjet një përgjigjeje me shkrim për KOHËN.

Rudi, që nga viti 2010 është edhe anëtare e Federatës Belge për Muzikën Elektroakustike. Ka studiuar për kompozicion në Konservatorin e Gjenevës dhe i ka vazhduar në Belgjikë për kompozim të muzikës akusmatike.

Qëllimi i saj është që të përcjellë emocione nëpërmjet lëvizjeve, vallëzimit e jo vetëm, tek e gjithë audienca pa dallim.

“Qëllimi im me këtë cikël është të përcjellë emocionet dhe përvojat tingullore përmes lëvizjeve, vallëzimit dhe asaj që mund të quhet ‘visual vernacular’ apo teatër fizik me elemente të poezisë dhe çmime, për komunitetin me dëgjim të reduktuar. Fokusi thelbësor i këtij cikli është shtjellimi i temës së ndryshimeve klimatike dhe eksperiencave tingullore për komunitetin e shurdhët”, ka bërë të ditur kompozitorja Donika Rudi.

Veprës së saj paraprake, “Vajtimit të tokës” në Belgjikë nikoqirllëk i kishte bërë “Oortreders Festival”, ngjarje treditore ku arti dhe zëri jetojnë mes pyjeve të Limburgut. Ashtu edhe vepra domethënëse e Rudit qe dhënë premierë në prillin e sivjetmë, në “Belgian Music Days” në Eupen të Belgjikës.

Me interpretim të sopranos Kaltrina Miftari, tekst të Doruntina Bashës dhe gjuhën e shenjave e lëvizjet nga Agnes Nokshiqi, “Vajtimi i tokës” kishte ardhur edhe si adresim për ata që ndiejnë, edhe pse nuk flasin e që vërejnë, por nuk shohin. Edhe për indiferencën ndaj asaj që i rrethon.

Në gusht të vitit të kaluar pjesa akusmatike e saj “Ode to Life” ishte prezantuar në kuadër të festivalit “Theater Op de Markt” në Hassel të Belgjikës, ku ishte shfaqur për herë të 12-të.