Nja dy muaj para se të vazhdonte traditën e tri edicioneve të mbajtura në fillim të gushtit, festivali “Sunny Hill” ka njoftuar se sivjet do të pushojë. Organizatorët e kanë dhënë këtë lajm të martën pasdite nëpërmjet një komunikate të shkurtër për media. Arsyeja: përgatitja e hapësirave të reja. Bëhet fjalë për hapësirat në fshatin Berrnicë e Poshtme e Prishtinës, lokacioni për të cilin ishte duke u sakrifikuar edhe edicioni i vitit të kaluar shkaku i përplasjeve midis pushtetit lokal e atij qendror dhe organizatorëve të Festivalit. U zhvendos në Tiranë dhe pas pluhurit që u ngrit, u rikthye në Prishtinë në Parkun e Gërmisë, por edhe me një edicion në kryeqytetin shqiptar.
Sipas komunikatës së “Sunny Hill”, festivali është bërë sensacion i mediave ndërkombëtare dhe shfaqjes në ballinat e mediave më të mëdha botërore për çdo edicion. Po ashtu “Sunny Hill” është listuar si njëri ndër pesë festivalet më të mira të cilat nuk duhet humbur në Evropë.
“Tash ka ardhur koha ta bëjmë një hap tjetër të madh përpara. Këtë vit ne po bëjmë gati shtëpinë tonë të re, hapësirën e përhershme të Festivalit në Bërnicë. Një vend i cili ua mundëson gjithë pjesëmarrësve ta marrin përvojën më të mirë që ata të gjithë e presin dhe meritojnë”, shkruhet në komunikatën e dërguar për media 24 orë pasi KOHA ka adresuar pyetje për organizatorët sa u përket planeve për sivjet. Njëra prej pyetjeve ka qenë nëse është arritur marrëveshja me autoritetet shtetërore për tokën në Bërnicë.
Sipas komunikatës, përjetimet e paharrueshme që i sjell “Sunny Hill” janë më të rëndësishmet, kurse pjesëmarrësit në Festival e meritojnë absolutisht më të mirën.
“Ne besojmë se nxitimi i procesit të punës do të zvogëlonte cilësinë dhe esencën e asaj që ‘Sunny Hill Festival’ e përfaqëson. Duke qenë edhe vetë fansa të muzikës dhe festivaleve, ne besojmë shumë në ofrimin e përvojës unike dhe të jashtëzakonshme që ne si festival duhet ta ofrojmë. Prandaj kemi marrë vendimin e vështirë për ta shtyrë edicionin e sivjetmë të ‘Sunny Hill Festival’, që t’i japim kohë krijimit të hapësirës së re. Ruani datat për një edicion masiv të ‘Sunny Hill Festival’ në fundjavën e parë të gushtit 2024”, shkruhet në komunikatë. Aty nuk bëhet e ditur se cila është marrëveshja midis organizatorëve dhe shtetit sa i përket shfrytëzimit të hapësirave në Berrnicë të Poshtme. E vjet kjo çështje kishte bërë që vetë organizatorët të paralajmëronin anulimin e edicionit e zhvendosjen në Tiranë. Gjashtë ditë pasi organizatorët e festivalit “Sunny Hill” njoftuan për zhvendosjen e Festivalit dhe akuzuan institucionet për zvarritje procedurale e politizim të procesit, kishin gjetur gjuhë të përbashkët me Qeverinë dhe Komunën e Prishtinës. Të tria palët për gati një javë kishin pasur akuza për njëra-tjetrën.
Njoftimi i vetë Dukagjin Lipës, organizator i Festivalit, se ky edicion do të mbahej në Tiranë kishte ngjallur alamet reagimi publik. Më pas kishin nisur edhe akuzat.
Për Komunën e Prishtinës ishte Qeveria ajo që kishte zvarritur procesin dhe kishte ndikuar direkt që kryeqyteti të mos ia siguronte lokacionin e përhershëm Festivalit.
Kryetari i Prishtinës, Përparim Rama, kishte thënë se si negociues i marrëveshjes me “Sunny Hill Festival” e propozues që Kuvendi Komunal më 10 maj të votonte pro ndarjes së parcelës prej 17 hektarësh për Festivalin, kishte thënë se Komuna ka bërë të pamundurën që të krijohen kushtet për mbajtjen e ngjarjes në Prishtinë.
Komuna akuzonte se Ministria e Administrimit të Pushtetit Lokal gjatë vlerësimit të ligjshmërisë së vendimit të Kuvendit Komunal kishte kërkuar dokumente shtesë. Po ashtu ishte kërkuar që të rinegociohet periudha e shfrytëzimit prej 99 vjetësh. Qeveria e kishte pranuar publikisht se periudha e shfrytëzimit duhej të negociohej më shumë.
Më të zëshmit kundër marrëveshjes së Komunës me “Sunny Hill Festival” kanë qenë asamblistët e Lëvizjes Vetëvendosje, parti kjo që udhëheq Qeverinë. Më pas krejt palët ishim marrë vesh që festivali të mbahej në Gërmi e hapësira e re të bëhej gati për këtë vit.
Në dy edicionet e para, më 2018 dhe 2019 dhe më pas edhe më 2022 –pas dy vjetësh pauzë shkaku i pandemisë COVID19 – “Sunny Hill Festival” kishte sjellë emra të mëdhenj të botës në muzikë me në krye Dua Lipën. Numri i atyre që merrnin pjesë në koncerte shkonte mbi 15 mijë çdo natë dhe Gërmia qe bërë vend që nuk akomodonte publikun e interesuar për Festival. Qysh prej 2019-s organizatorët kanë kërkuar që t’u jepet në shfrytëzim një hapësirë për ta rritur Festivalin.
Problemet procedurale e kishin përcjellë ndarjen e hapësirës për këtë festival edhe në tentimin e parë.
Më 14 qershor të vitit 2021 me 32 vota për, asamblistët e Kuvendit Komunal të Prishtinës kishin miratuar propozim-vendimin që këtij organizimi t’i ndahej prona komunale në Bërnicë të Poshtme, afër zonës së panaireve në Shkabaj. Marrëveshja midis Komunës dhe organizatorëve ishte e njëjta. Por edhe asokohe MAPL-ja kishte kërkuar që lënda të kthehej në pikën zero, gjë që edhe kishte ndodhur.
Paraprakisht në shtator të vitit 2019, Dukagjin Lipa, i ati i këngëtares Dua Lipa, pas edicionit të dytë të Festivalit, si organizator i ngjarjes kishte nënshkruar një marrëveshje me Qeverinë e Kosovës. Hapësirat e jashtme të Qendrës së Panaireve, afro 8 kilometra në veriperëndim të Prishtinës, sipas marrëveshjes, do të ishin në dispozicion të festivalit “Sunny Hill Festival”, i vlerësuar si një prej ngjarjeve kryesore që po e shënojnë vendin në hartën e organizimeve muzikore në botë.
Pak më herët, në gusht të atij viti, ish-kryetari i Komunës së Prishtinës, Shpend Ahmeti, dhe themeluesi i fondacionit “Sunny Hill”, Dukagjin Lipa, kishin nënshkruar marrëveshjen për dedikim të hapësirës për “Sunny Hill Foundation Music & Art Center”. Fondacioni kishte ndarë 200 mijë euro për këtë projekt. Në hapësirën që gjendet në Pallatin e Rinisë dhe të Sportit në kryeqytet do të zhvendoseshin edhe shkolla e mesme e ulët e muzikës “Prenkë Jakova” dhe fondacioni “Bonevet”. Por nga planet që puna për “Sunny Hill Academy” të niste në shtator të vitit 2019, çështja kishte marrë tatëpjetën për të mos nisur asnjëherë. Për këtë projekt dhe dy të tjera që ishin listuar së bashku në planifikimet buxhetore, për vitin 2020 Komuna kishte paraparë 800 mijë euro.
Dukagjin Lipa dhe e bija e tij, Dua Lipa, kishin premtuar edhe të tjera investime në kryeqytet. Më 4 maj 2020, dyshja kishte zhvilluar një bisedë online me ish-kryetarin e Komunës së Prishtinës, Shpend Ahmeti.
Një rregullim i amfiteatrit në sheshin “Zahir Pajaziti” në Prishtinë, ku do të qëndrojë një instalacion dhe parku i festivaleve në Bërnicë, qenë dy synimet që kishte përmendur ylli botëror i muzikës, Dua Lipa.
© KOHA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.