Kulturë

Ramosaj i reagon “Europa Nostras”: Shkëputuni nga qëllimet dashakeqe të qarqeve të caktuara

Dy ditë pasi “Europa Nostra” doli me deklaratë me të cilën dëshmoi se nuk e njeh realitetin që Manastiri i Deçanit nuk rrezikohet, të premten kësaj organizate i ka reaguar kryetari i Komunës së Deçanit, Bashkim Ramosaj, ndaj atij që ai e ka cilësuar “raportim skandaloz të ‘Europa Nostras’”. Ka thënë se ai është i pabazuar dhe nuk përket me realitetin e përditshëm që ndodh në Deçan.

Disa ditë pas vizitës që delegacioni i organizatës i bëri Kosovës më shumë se një vit pasi Manastirin e Deçanit e futi në listën e shtatë monumenteve të rrezikuara të trashëgimisë kulturore, “Europa Nostra” rikonfirmoi qasjen e saj se ky monument në Kosovë, së cilës i referohet me fusnotë, vazhdon të mbetet aty pasi “arsyet kryesore... kanë mbetur të vlefshme”.

Ramosaj ka shkruar se pretendimi i “Europa Nostras” se “Manastiri i Deçanit herë pas here ballafaqohet me tendencën për të rishikuar identitetin kulturor dhe historik”, është i pabazuar. Sipas Ramosajt, ky pretendim është dashakeq dhe nuk i kontribuon qëllimeve parimore të Kosovës.

Ramosaj ka thënë se prezenca e KFOR-it në ofrimin e sigurisë, bashkë me mekanizmat e tjerë, si Policia e Kosovës e të tjerë, dëshmon se “për më shumë se një dekadë siguria rreth Manastirit të Deçanit është në nivelin më të lartë të mundshëm dhe se nuk ka vend për shqetësim për sigurinë, duke u thirrur në traditën shekullore të qytetarëve të këtij vendi, të cilët e kanë mbrojtur dhe ruajtur këtë Manastir”.

“E themi me bindje që ‘Europa Nostra’ nuk i është referuar në asnjë moment raporteve zyrtare të nxjerra nga mekanizmat relevante të sigurisë, përfshirë KFOR-in si përgjegjës të drejtpërdrejtë në këtë zonë”, thuhet në reagimin e Ramosajt.

Ramosaj ka thënë se sa i përket sigurisë juridike, për zhvillimin e projekteve në zonën e Manastirit është respektuar Ligji për Zonat e Veçanta të Mbrojtura.

Ramosaj ka shtuar se “Europa Nostra” është dashur ta trajtojë më me kompetencë dhe profesionalizëm aspektin e sigurisë juridike.

“’Europa Nostra’ të mos e dëmtojë imazhin e mirë të këtij vendi, të mos cenojë vlerat e krijuara mbi traditën e kësaj popullate dhe të shkëputet një herë e përgjithmonë nga qëllimet dashakeqe të qarqeve të caktuara, të cilat investojnë në raportet e këqija, duke bërë një ndasi apo hendek në mes të Manastirit të Deçanit, institucioneve dhe qytetarëve të këtij vendi”, ka shkruar Ramosaj.

Kryetari i Deçanit ka qenë njëri prej nikoqirëve të delegacionit të “Europa Nostras”, të përbërë prej zëvendëspresidentit ekzekutiv të “Europa Nostras”, Guy Clausse, anëtarit të bordit, Laurent Lévi-Strauss, anëtares së Këshillit, Lida Miraj, sekretares së përgjithshme, Sneshka Quaedvlieg-Mihailoviq, koordinatores Lorena Aldana Ortega dhe dy konsulentëve të Institutit të Bankës Evropiane të Investimeve, Lourdes Llorens Abando e Romualdo Massa Bernucc.

Javën e kaluar shtatëshja ishte pritur nga një numër i madh nikoqirësh në Kosovë. Kanë drekuar me abatin e Manastirit të Deçanit, Sava Janjiq, e pos kryetarit të Deçanit, qenë takuar edhe me ministrin e Mjedisit, Liburn Aliu, atë të Kulturës, Hajrulla Çeku, peshkopin e Teodosije e përfaqësues të institucioneve të tjera.

“Ne shprehim indinjatën tonë kundrejt pretendimit të organizatës suaj që Manastiri i Deçanit të shpallet ndër 7 objektet më të rrezikuara, pa i vlerësuar faktet konkrete të cilat kanë relevancë për çështjen në fjalë dhe të cilat u janë ofruar delegacionit tuaj gjatë takimit në Komunën e Deçanit”, u ka shkruar Ramosaj.

Siç ka raportuar KOHA, në një seri tekstesh, qysh se u dha paralajmërimi për futjen e Manastirit të Deçanit në lisën e monumenteve në rrezik, “Europa Nostra” në prillin e kaluar do ta konkretizonte këtë, e për bazë do të merrte raporte nga shteti serb.

“‘Raportet shtetërore për ruajtjen e monumenteve mesjetare në Kosovë (Serbi)’ të Institutit për Mbrojtjen e Monumenteve të Kulturës, me seli në Beograd, janë dokumente të cilat organizata ‘Europa Nostra’ i ka marrë për bazë kur ka alarmuar botën se Manastiri i Deçanit është në rrezik, e aty përmendet edhe ‘një përpjekje për sulm terrorist nga ISIS-i’. Në përgjigjet dhënë KOHËS, për ‘Europa Nostran’, që Kosovës i referohet me fusnotë, këto dokumente zyrtare janë të pranuara edhe nga UNESCO-ja, ani pse aty Kosova është ‘Krahinë Autonome e Serbisë’”, kishte raportuar KOHA Ditore më 23 dhjetor të vitit 2020, ku u paralajmërua se pas listës preliminare me 12 monumente, Manastiri i Deçanit rrezikonte të futej në shtatëshe, siç ndodhi katër muaj më vonë, në prillin e vitit 2021.

Për qasjen e freskët të organizatës së themeluar në Paris më 1963, edhe pas vizitës në Kosovë, ministri i Kulturës, Hajrulla Çeku, pritet që të shtunën të mbajë konferencë për media.