Arbëri

Pacientët me kancer detyrohen t’i blejnë vetë edhe ilaçet esenciale

Bashkëshortja e një pacienti me kancer që merr trajtim në Klinikën e Onkologjisë në QKUK, prej javësh detyrohet që t’i blejë disa prej ilaçeve që janë në Listë e Barnave Esenciale. Ajo tregoi për KOHËN se për pesë javë radhazi e ka siguruar vetë injeksionin që e ndalon përhapjen e qelizave kancerogjene, si dhe barin për parandalimin e mpiksjes së gjakut. Në SHSKUK pranuan se ka mungesa

Një grua nga Prizreni çdo javë udhëton drejt Klinikës së Onkologjisë në QKUK për ta shoqëruar bashkëshortin që aty merr prej një viti trajtim për kancer.

Tek foli në kusht anonimiteti, ajo tregoi se prej pesë javësh është detyruar ta blejë tretësin për ndalimin e përhapjes së qelizave kancerogjene “Gemzar”, e cila është në Listë Esenciale të Barnave, por që mungon në Klinikë.

“Jena tu ble çdo javë, se e ka një herë në javë. Po duhet me shku me ble, 100 euro është një gjilpërë, dy gjilpëra janë 200 euro. Çdo javë që e blejmë, na shkojnë nga 200 euro. Krejt vetë i kemi ble, s’interesohen hiq”, ka thënë ajo.

Ajo thotë se mungon edhe tretësi që e zëvendëson “Gemzarin”.

“Qe 4 herë, a 5, na jemi tu e ble, e më herët ka pasë edhe zëvendësime. Seanca e pestë është, po blejmë se s’ka zëvendësime, 200 euro çdo herë. E ilaçet sa po na bëhen, ka 500 euro, se s’ka”, është ankuar ajo.

Për bashkëshortin e saj ajo detyrohet ta blejë, shkaku i mungesës, edhe “Fraksiparinën”, ilaç ky që e parandalon mpiksjen e gjakut dhe që është, po ashtu në listë të barnave esenciale.

“Një Fraksiparinë 6 euro duhet me marrë vetë. Fraksiparinën javën e kaluar e ka marrë tri herë n’ditë, se e ka pas 10 mijë, shumë lart, sa as aparati s’ia ka matë”, ka thënë ajo.

Krahas për barna, ajo thotë se edhe për intervenimin e nevojshëm kirurgjikal ka paguar mijëra euro.

“4000 euro m’kanë shku veç për operacion, kur është bo këtu në QKUK. Masanej u dashke me i ble se s’i kishin krejt. Tani, duke ble edhe fasha. Kemi ble vall shumë për operacion, deri sa edhe përparëset ua kemi ble”, ka treguar gruaja nga Prizreni, bashkëshorti i së cilës është me kancer.

Lidhur me ankesat për blerje të barnave që janë në listë esenciale, KOHA adresoi pyetje në Klinikën e Onkologjisë, porse nuk mori përgjigje.

E në Shërbimin Spitalor Klinik e Universitar, pranuan që ka mungesë të injeksionit “Gemzar”, por nuk treguan për arsyet dhe se kur mund të pritet furnizimi.

“SHSKUK-ja është në dijeni të mungesës së barit ‘Gemzar’ në Klinikën e Onkologjisë. Proceset e furnizimit janë në vazhdim dhe shumë shpejt pritet që kjo klinikë të furnizohet me këtë bar, në përputhje me nevojat e pacientëve”, thuhet në përgjigjen e SHSKUK-së.

KOHA ka raportuar në vazhdimësi për mungesa të barnave në Onkologji. Së fundi, në mungesë ka qenë ilaçi për kocka “Zometan”, e të cilin pacientët e kanë blerë vetë për realizim të trajtimit.