Kulturë

Murali me portretin e Nexhmije Pagarushës – shembull i nderimit të ikonës

Nën tingujt e këngës “Baresha” të Nexhmije Pagarushës, artistja spanjolle, Abra Fabre, ia ka dhënë ngjyrat e fundit muralit me portretin e Bilbilit të Kosovës. Për pesë ditë, ajo ka punuar me shumë pasion në realizimin e kësaj vepre. Aty ka punuar portretin e këngëtares ikonike. Imazhi i saj në kryeqytet e paraqet Pagarushën në kohën e lulëzimit të saj në muzikë. Fabre, e cila është profesoreshë në Akademinë e Arteve në Barcelonë, i ka thënë KOHËS, se përkundër asaj që nuk jeton këtu, është lidhur shumë me krijimtarinë e Pagarushës për aq sa ka qëndruar në Kosovë.

“Ka qenë emocionuese. Për aq sa kemi dëgjuar për të kemi qenë të mrekulluar nga puna e saj si artiste dhe sa e fuqishme ka qenë. Po ndihemi shumë krenare për të”, ka thënë ajo. Derisa Fabre i ka lenë gjurmët e fundit në muralin në objektin krahas atij ku Filharmonia e Kosovës mban provat, në kryqëzimin e rrugëve “Qamil Hoxha” dhe “Sylejman Vokshi”, tingujt e “Bareshës” e kanë bërë ta përjetojë akoma dhe më shumë përfundimin e procesit të punës.

“Ka qenë shumë emotive derisa e dëgjoja këtë këngë dhe po e përfundoja muralin për të. Ka qenë një proces i mrekullueshëm”, i ka thënë ajo KOHËS, pak minuta pasi ka përfunduar punën në mural.

Kori “Nexhmije Pagarusha” e ka pritur publikun me atë që Bilbili i Kosovës e kishte më për zemër: muzikën. Kori që mban emrin e saj për shtatë vjet, nën dirigjimin e Nazmie Beadinit e kanë kënduar këngën “Mallëngjimi”. Ata e kanë vlerësuar nder pjesëmarrjen në inaugurimin e muralit.

e kemi obligim të jemi këtu. Duke marrë parasysh që tek ne nuk është e lehtë të realizohen këto punë si ky mural, ne e përgëzojmë Lebiben dhe “Mural Festin”, ka thënë Beadini.

Drejtoresha e “Mural Festit”, Lebibe Topalli, ka thënë se që në fillim kanë qenë këmbëngulës për realizimin e këtij murali në kryeqytet. Sipas saj, i gjithë mundi është shpaguar. Gjatë punës kanë marrë komente pozitive nga kalimtarët. Derisa thotë se kanë përzgjedhur një lokacion të frekuentueshëm, ku kalimtarët mund të përballen me imazhin e Pagarushës, ajo gjatë ceremonisë së inaugurimit ka thënë se shpreson që edhe rruga ku është vendosur murali të marrë emrin e këngëtares së njohur.

e kemi vendosur muralin në këtë mur, afër objektit të Filharmonisë së Kosovës dhe Ministrisë së Kulturës, ku ajo ka shërbyer gjithë karrierën e saj. Fotografia është përzgjedhur me kujdes të veçantë, në kohën kur ajo ka dhënë maksimumin për t’u ngritur në skenë”, ka thënë Topalli.

Jo pak kalimtarë janë mbledhur për të parë imazhin të premten pasdite. Në mesin e tyre edhe familjarë të këngëtares. Lule Pagarusha, që ka folur në emër të familjes, ka thënë se ky mural e ka përjetësuar kujtimin për të dhe ajo do të vazhdojë të jetojë te publiku për aq kohë sa nderohet në këtë mënyrë.

“Vetë murali tregon dashurinë dhe respektin për këngëtaren. I përgëzoj Lebiben dhe ekipin. E di që keni pasur punë të vështirë dhe pengesa, faleminderit që nuk jeni dorëzuar. Sakrifica e Nexhmijes për avancimin e grave po i shpërblehet për dashurinë që po e tregoni për Nexhmije Pagarushën”, ka thënë ajo në ceremoninë inauguruese të muralit. Puna në realizimin e këtij projekti qe ndërprerë që në ditën e parë. Bartësve të projektit u kishte dalë punë me njërin prej hisedarëve të objektit kolektiv.

Si një iniciativë e qëlluar është vlerësuar ky mural edhe nga piktori Hajrush Fazliu. Sipas tij, ky mural e përjetëson respektin e popullit për të. Sipas tij, kjo është një punë figurativisht e realizuar bukur dhe kryeqendra duhet të pasurohet me imazhe të tilla që përfaqësojnë kulturën.

“Na bën të ndihemi edhe më krenarë kur artistë spanjollë vijnë dhe investojnë në kulturën dhe artin e një shteti që nuk e njohin. Arti duhet të jetë edhe ajo urë lidhëse mes popujve dhe kombeve evropiane. Vepra të tilla duhet akoma më shumë ta pasurojnë kryeqendrën tonë që të japin një mesazh jo vetëm të luftës, por edhe të kulturës dhe sportit që kanë kontribuar shumë në shpirtin e këtij populli”, ka thënë Fazliu për KOHËN.

Nexhmije Pagarusha vdiq më 7 shkurt të vitit 2020. Përmes zërit të saj janë interpretuar mbi 150 këngë në periudhën mes viteve ’50 dhe mesit të viteve ‘80. Ajo është nderuar me medalje presidenciale për veprimtari jetësore. Ka marrë titullin “Nderi i kombit” dhe është nderuar me çmime të shumta, përfshirë edhe “Rexhai Surroi” për vepër jetësore.