Kulturë

Nis të marrë formë murali me portretin e Nexhmije Pagarushës

Portreti i këngëtares Nexhmije Pagarusha ka nisur të marrë formë në qendër të Prishtinës. Krahas objektit ku mban provat Filharmonia e Kosovës, artistja spanjolle Alba Fabre ia ka dalë që për dy ditë të “shkrijë” në mural një pjesë të mirë të portretit që është përzgjedhur. Fabre, e cila është profesoreshë në Akademinë e Arteve në Barcelonë, llogaritet që për pak ditë t’i japë epilog projektit.

Puna ka vazhduar pas problemeve të së hënës kur ekipi ishte detyruar ta ndalte procesin.

Udhëheqësja e organizatës “MuralFest”, Lebibe Topalli, ka thënë se kanë tejkaluar pengesat që ua kishte bërë një prej hisedarëve të pallatit ku kryqëzohen rrugët “Qamil Hoxha” dhe “Sylejman Vokshi”.

“Ne kemi marrë pëlqimet e 99 për qind të banorëve, por vetëm një prej tyre na ka nxjerrë probleme. Tash jemi duke vazhduar punën”, ka thënë Topalli të mërkurën.

Të hënën ajo kishte thënë se ish-drejtori i Radio-Kosovës, Azem Bujupi, aktualisht redaktor i programit në këtë institucion, pos që nuk kishte dhënë pëlqim, kishte paralajmëruar se do të mbulohet murali. “Mural Festi” posedon edhe pëlqimin e Komunës së Prishtinës.

KOHA ka parë një pjesë të komunikimit me shkrim midis palëve.

“Ju pëlqimin tim nuk e keni. Në të ardhmen i kam treguar se do të mbulohet. Ju figurën e tillë e keni keqpërdorur. Të ngelet në ndërgjegjen tuaj. Ajo do të mbulohet në të ardhmen e afërt pa dashjen time, me keqpërdorimin tuaj”, shkruhet në komunikimin midis Bujupit dhe stafit të “Mural Fest-it”.

Adrian Berisha, i cili është drejtor i Drejtorisë së Kulturës në Komunën e Prishtinës, kishte konfirmuar se ky institucion ka dhënë leje për punimin e këtij murali dhe projekti është mbështetur financiarisht nga Drejtoria për Kulturë.

{gallery}

Të mërkurën një pjesë e konsiderueshme e muralit me portretin e Bilbilit të Kosovës është përfunduar (Foto: Alban Bujari)

“Në përgjithësi është e tmerrshme të ndërpritet puna e artistëve. Në këtë rast është edhe më e dhimbshme kur e dimë se murali, i cili po tentohet të pengohet në realizim i dedikohet të madhes Nexhmije Pagarusha, andaj ne e konsiderojmë këtë veprim të pronarit të njërit nga lokalet aty jo në rregull dhe jashtëzakonisht të dhimbshëm”, kishte thënë ai. I kontaktuar nga KOHA, Bujupi nuk kishte dashur të fliste me arsyetimin se është në ditëlindje të djalit dhe se nuk ka lidhje me këtë punë.

Artistja Lebibe Topalli të mërkurën ka treguar se fotografia është përzgjedhur me shumë kujdes. Është një portret ku Pagarusha (1933-2020) kishte pozuar gjatë kohës kur ishte në kulmin e karrierës.

“Ka shumë fotografi të Bilbilit të Këngës Shqipe, por ne na duhej një që ka pastërti dhe rezolucion shumë të mirë pasi bëhet fjalë për të madhen Pagarusha dhe realizimi duhet të jetë i nivelit sa më të lartë”, ka thënë ajo. Ka treguar se kanë këmbëngulur që murali të realizohet në qendër të qytetit dhe në një hapësirë ku ka afër Ministrinë e Kulturës, Filharmoninë e Kosovës.

“Hapësira ku portretizohet Nexhmije Pagarisha është dashur të jetë në qendër pasi bëhet fjalë për një personalitet me vlera shumë të mëdha për kulturën shqiptare”, ka thënë Topalli. Sipas saj, stafi është duke provuar që të organizohet një ceremoni për inaugurimin e muralit.

“Mural Fest” sivjet, midis të tjerash, ka portretizuar në Ferizaj këngëtaren nga Kosova që ka nam botëror, Rita Ora, e po ashtu edhe fotoreporterin e agjencive prestigjioze Hazir Reka.

Realizmi i projektit për mural në kryeqytet do të shpërfaqë një prej imazheve të këngëtares e cila vdiq në shkurt të vitit të kaluar. Përtej një këngëtareje tejet të talentuar, që veçohet për interpretimin e “Bareshës” me tekst të Rifat Kukajt dhe kompozim të Rexho Mulliqit, njihet edhe si promovuese e kulturës shqiptare e shembull emancipimi për gratë e Kosovës në ish-Jugosllavi.

Përtej kësaj Pagarusha ka marrë të gjitha dekoratat shtetërore në Kosovë e Shqipëri deri te “Nderi i Kombit”.