Kulturë

Ndërpritet puna për muralin “Nexhmije Pagarusha”

Mbrëmjen e së dielës “Mural Festi” ka bërë gati hapësirën e punës në kryqëzimin e rrugëve “Qamil Hoxha” dhe “Sylejman Vokshi” në kryeqytet. Profesoresha e Akademisë së Arteve në Barcelonë, Alba Fabre, ka ardhur nga Spanja. Synimi i organizatës së njohur për murale, profesoreshës spanjolle e Komunës së Prishtinës është realizimi i muralit “Nexhmije Pagarusha”. Por qysh në ditën e parë të punës, të hënën është ndërprerë procesi.

Sipas “Mural Fest”-it dhe Komunës, një prej hisedarëve të ndërtesës ka kërkuar që të ndërpriten punimet. Kanë thënë se bëhet fjalë për ish-drejtorin e Radio-Kosovës, Azem Bujupi, aktualisht redaktor i programit në këtë institucion. “Mural Festi” posedon pëlqimin e Komunës së Prishtinës e po ashtu, sipas tyre, edhe të pjesës më të madhe të banorëve.

KOHËS ia kanë prezantuar pëlqimet nga pesë pronarë të banesave e lokaleve në këtë pallat që është në qendër të Prishtinës, krahas Filharmonisë së Kosovës.

Udhëheqësja e “Mural Fest”-it, Lebibe Topalli, ka thënë se pos pëlqimeve të pronarëve, lejes së Komunës, kanë njoftuar edhe Policinë e Kosovës se puna do të nisë të dielën në mbrëmje.

“Azem Bujupi na e ka ndërprerë punën. Ka bërtitur e ofenduar dhe ka bërë kinse po e thërret Policinë. Artistja e ka lënë punën pasi është ndier keq”, ka thënë Topalli. Sipas saj, Azem Bujupi është i vetmi pronar në kompleksin afarist e banesor që nuk e ka nënshkruar pëlqimin. Ajo ka insistuar se do të vazhdojnë punimet pasi kanë të gjitha pëlqimet e lejet. Ka thënë se Bujupi insiston se aty do të vendosë një lloj reklame.

Image

ka parë një pjesë të komunikimit me shkrim midis palëve. “Ju pëlqimin tim nuk e keni. Në të ardhmen i kam treguar se do të mbulohet. Ju figurën e tillë e keni keqpërdorur. Të ngelet në ndërgjegjen tuaj. Ajo do të mbulohet në të ardhmen e afërt pa dashjen time, me keqpërdorimin tuaj”, shkruhet në komunikimin midis Bujupit dhe Topallit. Udhëheqësja e organizatës që merret me murale ka thënë se kanë insistuar shumë që të sigurojnë edhe pëlqimin e tij dhe për këtë është vonuar implementimi i projektit. Synohet portretizimi i Nexhmije Pagarushës që ka edhe epitetin “Bilbili i këngës shqipe”.

Adrian Berisha, i cili është drejtor i Drejtorisë së Kulturës në Komunën e Prishtinës, ka konfirmuar se ky institucion ka dhënë leje për punimin e këtij murali dhe projekti është mbështetur financiarisht nga Drejtoria për Kulturë.

“Në përgjithësi është e tmerrshme të ndërpritet puna e artistëve. Në këtë rast është edhe më e dhimbshme kur e dimë se murali, i cili po tentohet të pengohet në realizim i dedikohet të madhes Nexhmije Pagarusha, andaj ne e konsiderojmë këtë veprim të pronarit të njërit nga lokalet aty jo në rregull dhe jashtëzakonisht të dhimbshëm”, ka thënë ai.

Sipas Berishës, Komuna e Prishtinës dhe ai si drejtor së bashku me ekipet e përfshira do të vazhdojnë të realizojnë muralin aty. “Ne jemi të gatshëm të përballemi me akuzat apo tentimet e pronarit në çfarëdolloj forme apo mënyre”, ka thënë ai.

Pasditen e së hënës KOHA ka provuar të flasë me Azem Bujupin. Fillimisht ai nuk u është përgjigjur thirrjeve telefonike e as porosive elektronike. Në mbrëmje është lajmëruar dhe ka thënë se është në ditëlindje të djalit. Sa i përket muralit ka pasur një koment të shkurtër.

“Është në formë të parregullt. S’kam të bëj me atë punë”, ka thënë ai. Realizmi i projektit për mural do të shpërfaqte një prej imazheve të këngëtares së cila u lind më 1933 dhe vdiq në shkurt të vitit të kaluar. Përtej një këngëtareje tejet të talentuar, e cila veçohet për interpretimin e “Bareshës” me tekst të Rifat Kukajt dhe kompozim të Rexho Mulliqit, njihet edhe si promovuese e kulturës shqiptare e shembull emancipimi për gratë e Kosovës në ish-Jugosllavi.

Përtej kësaj Pagarusha ka marrë të gjitha dekoratat shtetërore në Kosovë e Shqipëri deri te “Nderi i Kombit”.