Kulturë

“Skena e re” bashkon zërat e së ardhmes në muzikën serioze

“Skena e re” në kuadër të “Prishtina International Vocal Festival” ka bërë bashkë zërat e rinj që janë potenciali i së ardhmes në muzikën serioze. Nëpërmjet një programi ku janë interpretuar vepra të krijuesve botërorë si Verdi e Puccini, por edhe të atyre vendorë, studentët kanë shpalosur talentin e tyre në të mërkurën në kishën “Shën Ndou” në Prishtinë. Është dashur të prisnin 40 minuta për t’ia nisur koncertit shkaku i vonesës së kryeministrit Albin Kurti.

Por për rreth një orë sopranot Vanesa Krasniqi, Elona Sadiku, Urta Haziraj e Anita Kerhani të shoqëruara në piano nga Andi Duraku, për të pranishmit ambientin kishtar e kanë shndërruar në sallë koncertale.

Koncerti është hapur me arien operistike të Giuseppe Verdit, “Saper vorreste” nga opera “Un ballo in Maschera” për të vazhduar me “Quando m'en vo” të operës "La boheme" të Giacomo Puccinit. Më pas nën interpretimin e sopranos së re, studentes Vanesa Krasniqi, ka qenë radha e krijimtarisë shqipe. “Vasha dhe hëna” e Kristo Konos ka bërë që studentja e vitit të dytë të shpalosë trashëgiminë e kulturës shqiptare.

Sopranoja e re Elona Sadiku përformancën e saj në sallën gjysmë të mbushur shkaku i masave kundër pandemisë e ka nisur “Ascolta...Se Romeo...” që është arie e operës së njohur të Vincenco Bellinit “I capuleti e i Montecchi”. Ambientit prapë i është kthyer krijimtaria shqiptare me këngën “Zemrën Mrikë un’ s’po ta prish” të asaj që njihet si opera e parë shqiptare "Mrika" e Kolë Jakovës. Ajo i ka dhënë fund paraqitjes me “Memory” të Andrew Loyd Weber.

Nën shoqërimin e vazhdueshëm me piano nga Andi Duraku mbrëmja ka vazhduar me përformancat nga studentet e tjera. Në sallën kishtare jo aq të ngrohtë për një koncert e sidomos kur pritet 40 minuta për nisjen e interpretimeve, zërat e rinj kanë sjellë histori të ndryshme të shkëputura nga kryevepra botërore e shqiptare.

Vonesën nuk e ka përmendur, por kryeministri Albin Kurti në Instagram nja dy paragrafë të shkurtër i ka shkruar për koncert.

“Vokale të fuqishme e plot ngjyra. Këtë magji tingujsh na e sollën artistët tanë të rinj”, ka shkruar ai, duke i përmendur me emra interpretueset. “Mbrëmë përjetuam një udhëtim të mahnitshëm muzikor mes veprave të kompozitorëve të mëdhenj italianë si ‘Saper vorreste’ e Giuseppe Verdit, ‘O mio Babbino Caro’ e Giacomo Puccini, e të kompozitorëve tanë të mirënjohur shqiptarë ‘Vasha dhe hëna’ e Kristo Kono dhe ‘Zemrën Mrikë un’ s’po ta prish’ e Prenk Jakovës, e deri te veprat maestrale të Mozartit e Beethovenit”, ka shkruar Kurti.

Studentja Urta Haziraj ka thënë se ishte e lumtur që në këtë festival i është dhënë mundësia të interpretojë.

“Ne ushtrojmë në studime, por përballja me publikun është diçka tjetër dhe kjo përvojë është shumë e mirë për ne”, ka thënë ajo. Kurse kolegia e saj, Elona Sadiku, ka thënë se gjatë mbrëmjes vazhdimisht ka pasur ndjesi të mirë pavarësisht përgjegjësisë.

“Këto koncerte na ndihmojnë neve si studente. Sonte ishte një mbrëmje e mrekullueshme”, ka thënë ajo.

Në natën e dytë të Festivalit drejtori i këtij organizimi, dirigjenti Hajrullah Syla, ka thënë se pavarësisht gjendjes së krijuar me pandemi, publiku vazhdon të jetë i shumtë në koncerte. Ka treguar se janë duke iu përmbajtur krejt rregullave në raport me pandeminë.

“Festivali është duke shkuar shumë mirë kur kemi parasysh edhe pandeminë. Sonte ishte një mbrëmje shumë e mirë me mundësi që talentet e reja të shpalosin potencialin e tyre”, ka thënë ai. E të enjten mbrëma Festivali ka vazhduar rrugëtimin me tenorin Ismet Vejseli, i cili ka interpretuar i shoqëruar në piano nga Anastasija Gichevska.