Emra të dëshmuar botërorë në koncerte që sjellin tisin e skenave të mëdha, është vetëm njëra anë e Festivalit Ndërkombëtar të Operës “Rame Lahaj”. Nxjerrja në pah e zërave të rinj, tashmë është shndërruar jo vetëm në traditë por edhe në mision. Sivjet, maestroja Ramon Vargas ka udhëhequr “Masterclassin” i cili ka kulmuar me koncertin “New Generation”. “Mendoj është shumë e rëndësishme mbajtja e një koncerti të këtillë dhe e një ngjarjeje të tillë, sepse kjo i shtyn të rinjtë”, ka thënë tenori meksikan
Puna njëjavore e solistëve të rinj me maestron Ramon Vargas është prezantuar në ambientet e Fakultetit të Arteve në Prishtinë me koncertin “New Generation” që tashmë është traditë në kuadër të RLIOF-it. Ai ka punuar me këta solistë për një javë dhe i ka udhëzuar e iu ka prirë në zhvillimin e interpretimeve të veprave më prominente të operave botërore, në kuadër të punëve të “Masterclassit”, i cili tashmë zhvillohet çdo vit, për t’iu ofruar të rinjve hapësirë ta tregojnë veten.
Ky është vetëm koncerti i radhës gjatë maratonës së netëve të edicionit të pestë të Festivalit Ndërkombëtar të Operës “Rame Lahaj” (RLIOF). Puna e palodhshme është shpërblyer me kulmimin e kësaj nate të martën mbrëma kur në sallë janë mbledhur plot artdashës për t’i përcjellë performancat e tyre.
Mes solistëve të rinj, gati gjysma kanë qenë të huaj, disa prej tyre që kanë punuar edhe më herët me maestron. Disa të tjerë nuk ndodhen në këtë koncert për herë të parë. E tenorit Ramon Vargas i shkëlqente fytyra teksa i përcillte performancat e secilit prej “studentëve” të tij. Ulur ngjitur me Rame Lahajn, ai rrallë këmbente ndonjë fjalë, e pas secilës performancë nuk mungonin duartrokitjet.
“Mendoj se është një përvojë e jashtëzakonshme, jam shumë i lumtur që marr pjesë, uroj që ky festival të rritet gjithnjë e më shumë, e sidomos për shkak të idesë për t’i përfshirë gjeneratat e reja, është shumë me rëndësi. Mendoj se po ndryshon jeta kulturore e Kosovës me këtë festival dhe jam shumë i lumtur për këtë pjesëmarrje”, ka thënë tenori Vargas.
Për më shumë se një orë, salla relativisht e vogël në Departamentin e Muzikës jehonte me zërat e fuqishëm operistikë të të rinjve, me pjesët që solistët vetë i kishin zgjedhur t’i performojnë. Gjithë ky repertor i gjerë, me këngë solo e me dyshe operistike, shpesh kombinime të zërave, por nganjëherë edhe kontrast i madh mes tyre, me qëllim që të krijohet një harmoni e dyfishtë.
Fromba Krasniqi e ka hapur natën me interpretimin e aries “O mio babbino caro” nga opera e famshme komike e kompozitorit italian Giacomo Puccini, “Gianni Schicchi”. Me zërin e saj plot ngjyra, nën tingujt e pianos, në të cilën ka luajtur pianistja amerikane Jess Rucinski, ajo ka rrëmbyer vëmendjen e të pranishmëve, e publiku nuk i ka kursyer duartrokitjet në fund të performancës.
Njëra e lëshonte skenën e nisej drejt korridorit të ngushtë mes ulëseve brenda sallës, e tjetra që nisej për të dalë në skenë ia prekte lehtë supet në pranëkalim. Kështu Elvira Mazhiqi e nisi performancën e saj, teksa ka interpretuar pjesën “Una voce poco fa” nga opera “Il barbiere di Siviglia” e kompozitorit Gioachino Rossini. Për të nuk është hera e parë që është pjesë e këtij festivali, me “Masterclass” ka ushtruar edhe para këtij edicioni, teksa ka treguar se ka mësuar plot gjëra të reja nga mjeshtri i muzikës operistike, me të cilin kanë punuar tërë javën që shkoi.
“Kjo është hera ime e dytë që vij në këtë ‘Masterclass’ dhe në këtë festival, këtë herë ka qenë një prej më të mrekullueshmëve, e kemi pasur një eksperiencë shumë të mrekullueshme me maestron, kemi mësuar gjëra të tjera, të cilat neve do të na ndihmojnë gjatë gjithë jetës sonë, kështu që një falënderim shumë të madh festivalit dhe të gjithë organizatorëve, sepse kjo është një mundësi shumë e mirë për solokëngëtarët në Kosovë edhe përtej”, ka thënë solistja Mazhiqi për KOHËN në fund të koncertit.
Sipas saj, të ndenjurit një javë me njerëzit e njëjtë gjatë një klase sa të rëndësishme, aq edhe zbavitëse, sigurisht se mbjell shoqëri të reja, me shqiptarë e me të huaj, duke dhënë mundësinë që të këmbejnë me njëri-tjetrin eksperiencat dhe të ndajnë mendimet e tyre për kulturat e njëri-tjetrit.
“Gjithmonë është një eksperiencë e bukur të takohemi dhe të njihemi edhe me kultura të tjera, kështu që për mua është një eksperiencë shumë e mirë edhe t’i ndajmë kulturat tona e t’i ndajmë të gjitha ato eksperiencat tona në skenë edhe të gjitha ato frikërat që i kemi, emocionet që i kemi, kjo na ndihmon që ne të mësojmë edhe prej të tjerëve”, ka shtuar ajo.
E radhës ka kënduar Markela Jakaj. Ka interpretuar arien “Depuis hier je cherche en vain mon maître” nga opera “Roméo et Juliette” e kompozitorit Charles Gounod.
Maestro Ramon Vargas ka treguar se ka kaluar shumë mirë me të gjithë ata dhe se ndihet i lumtur që më në fund po kulmon me këtë koncert puna njëjavore.
“Them se janë shumë të mirë, mënyra se si i kapin informacionet për një periudhë aq të shkurtër është shumë me rëndësi, dhe jam i sigurt se ata do të përfitojnë prej kësaj, e jam shumë i lumtur për këtë gjë”, ka treguar ai.
Sipas tij, nuk është e lehtë të shohësh tek performojnë të mentoruarit, me të cilët ka punuar.
“Isha më në ankth dhe më në siklet se ata, por ishte shumë ndjenjë e mirë, ndodh ndonjëherë edhe ajo, por realiteti është se si do të dalim para publikut, kemi punuar shumë që ta përçojmë edhe në audiencë atë punë, disa prej tyre ishin më mirë, disa ishin pak në ankth, ky është realiteti, por them se mësojmë prej këtyre përvojave. Mendoj është shumë e rëndësishme mbajtja e një koncerti të këtillë dhe e një ngjarjeje të tillë, sepse kjo i shtyn të rinjtë”, ka shtuar ai.
Fiona Llapashtica ka qenë solistja tjetër që ka performuar para të pranishmëve pjesën “Ach, ich fuhl’s” nga opera e Mozartit, “Die Zauberflote”, e as ajo nuk është në këtë “Masterclass” për herë të parë. Ishte ngjitur në të njëjtin koncert edhe vitin e kaluar kur mbahej edicioni i katërt i festivalit “RLIOF”.
“Ndoshta edhe ju e dini që edhe vitin e kaluar kam qenë pjesëmarrëse e ‘Masterclassit’, edhe kësaj here ka qenë me të vërtetë eksperiencë shumë, shumë e mirë. Edhe maestro Vargas është një këngëtar që ka shumë eksperiencë dhe e ka mënyrën të na japë edhe neve eksperiencë dhe një pjesë të eksperiencës edhe të na mësojë, domethënë ishte me të vërtetë super”, ka rrëfyer ajo për KOHËN.
Pas interpretimit të saj skena u është lëshuar solistëve të huaj, të cilët ishin pak më të shumtë në numër. Kanë krijuar një perfeksion harmonish me interpretimet në dyshe.
Solistja Valeria Beliman e ka interpretuar këngën “Eccomi in lieta vesta / Oh! quante volte”, pjesë e operës “I Capuleti e i Montecchi” nga Vincenzo Bellini. Solistja aziatike Sory Kim ka interpretuar në dyshe operistike me solisten Laura Avila, të cilat kanë përzgjedhur pjesën “Sull’aria” nga Mozarti.
I vetmi zë mashkullor që ishte pjesë e këtij koncerti ka qenë Luis Hernandez-Luque, i cili ka interpretuar pjesën “Ah! Mes amis... Pour mon ame” nga kompozitori Donizetti. Për këtë koncert, ai është shprehur se ndihet i kënaqur me performancat.
“Koncerti i kësaj nate ishte shumë i këndshëm, sepse patëm mundësinë të këndojmë gjithë atë repertor, me të cilin kemi punuar deri tani në këtë ‘Masterclass’. Normalisht, ishim në siklet, për shkak se sigurisht na duhet kohë për t’i mësuar të gjitha shkathtësitë teknike që na jep maestroja për një javë, andaj ne me patjetër duhej të kontrollonim nervat, të mendojmë se na ka thënë ‘bëje këtë, bëje atë; mos e bëj këtë, mos e bëj atë’ dhe nganjëherë është pak e vështirë ta mbajmë atë energjinë dhe fokusin, por sonte ishte nata për t’u kënaqur”, ka thënë solisti Hernandez-Luque.
Laura Avila ka dalë sërish në skenë për ta përcjellë tek audienca melodinë e zërit të saj. Kësaj radhe ajo e ka performuar arien “Heia, heia, in den Bergen ist mein Heimatland” nga opera “Die Csardasfurstin” e kompozitorit Kalman. Interpretimi i pjesës “E strano... Ah, fors’e lui... Sempre libera”, pjesë e operës së famshme “La traviata” të Verdit e ka risjellë në skenë solisten Sory Kim. Për përvojën e të mësuarit me tenorin, ajo ka shpjeguar se është ndier pak në siklet.
“Ta them të drejtën, kemi mësuar diçka në mënyrë kompakte për një javë, andaj ishte punë e vështirë, prej orës 10 deri në 7, të gjithë bashkë me maestron, në mot të nxehtë, u bëra merak pak, por siç edhe më doli: shumë lumturi dhe kam kënaqësinë të jem këtu. Në skenë ndihesha në siklet për teknikën, por Ramon, ai na këqyrte me një buzëqeshje të ngrohtë, na mbështet të gjithëve andaj jam shumë e kënaqur dhe e lumtur”, ka thënë Kim.
Teksa performonte Valeria Beliman, prej hyrjes së sallës ka filluar të këndojë edhe Luis Hernandez-Luque dhe kjo siç duket i ka zënë në befasi të pranishmit. Kanë kthyer kokën shumë prej tyre, e duartrokitjet s’kishin të ndalur. Kanë kënduar “Caro elisir sei mio... Esulti pur la barbara” nga opera “Elisir d’amore” e Gaetano Donizettit. Në fund të koncertit, ai ka treguar se me maestron Vargas ka punuar edhe më herët në Vjenë, e “përvojë të paharrueshme” i ka quajtur gjithë këto ditë në Prishtinë.
“Jam shumë i lumtur të jem pjesë e këtij festivali, e këtij ‘Masterclassi’, sepse më ofrohet mundësia të punoj sërish me maestron Ramon Vargas, i cili është prej tenorëve më të rëndësishëm të shekullit, është një legjendë dhe kam qenë shumë me fat që kam pasur mundësinë të punoj me të në Vjenë, ndërkaq tani, ta kemi Ramon Vargasin për një javë në këtë festival madhështor e në këtë qytet të bukur, është një përvojë e paharrueshme për mua”, ka thënë Hernandez-Luque për KOHËN.
Krejt e fundit ka kënduar Georgia Artemis arien “Casta Diva” të operës “Norma” nga Bellini, me të është mbyllur edhe ky koncert.
Në vazhdën e Festivalit Ndërkombëtar të Operës “Rame Lahaj”, të mërkurën mbrëma skena i ka takuar “Ensemble Evening” e më 2 gusht festivali do të kulmojë me gala mbrëmjen “Rame Lahaj and Friends” në sheshin “Skënderbeu”.