Kulturë

Rindërtohet Kisha e rrënuar nga komunizmi në Mirditë

Kisha e Shëlbuemit në Selitë të Mirditës, thuhet të jetë ndërtuar në vitet ’30 të shekullit XIX. Por ky objekt kulti do të shembej sikurse edhe shumë të tjerë gjatë periudhës kur Shqipëria udhëhiqej nga Partia Komuniste, që më vonë u riemërua duke u bërë Partia e Punës. Punë e madhe e alamet arritjeje ishte konsideruar edhe rrënimi i shumë objekteve të kultit.

Në vitet ’60 të shekullit të kaluar, shteti shqiptar kishte nisur një luftë të ashpër kundër besimeve fetare. Përtej burgosjeve e vrasjeve të prijësve fetarë, Shqipëria më 1967 me ligj do të ndalonte fenë.

Por disa banorë të Selitës së Mirditës fshehurazi luteshin te rrënojat e Kishës. Këto ditë ata e kanë ringritur ndërtesën. Siç raportojnë mediat shqiptare në një kohë kur shteti dhe institucionet heshtën për vite me radhë për ta rikthyer këtë objekt kulti në identitet, këtë e bëri familja e Nikoll Bushkolës. Ai së bashku me të birin dhe vëllezërit vendosën që një pjesë të kursimeve të fituara në emigracion t’i çonin për rindërtimin e Kishës.

Punëtorët që morën përsipër rindërtimin e Kishës, raportohet të jenë edhe të fesë islame nga Dibra, të njohur për bashkëjetesën në harmoni me banorët e Mirditës e po ashtu edhe si mjeshtër të zotë të gurit. Së bashku kanë kthyer në jetë atë që për regjimin komunist nuk ishte përparimtare, Kishën.

Feja në Shqipërinë komuniste konsiderohej si “opiumi i popullit”. Propaganda ndërtohej mbi atë se “njerëzit e panë të vërtetën me sy dhe panë gënjeshtrat fetare me shpifjet e pafundme”. Me demokratizimin e shtetit shqiptar feja u njoh edhe nga autoritetet administrative të Republikës. Prej atëherë u ndërtuan shumë tempuj fetarë dhe klerikët që gjatë diktaturës kishin detyra të rëndomta, u ritransformuan në prijës shpirtërorë të besimtarëve. Shembull tipik i kësaj është Haxhi Baba Reshat Bardhi. Në komunizëm kishte punuar si ujësjellës, por me t’u shembur perandoria komuniste, Bardhi tashmë i ndjerë veshi petkun e kryegjyshit të Kryegjyshatës Botërore të Bektashizmit me seli në Shqipëri.