Kulturë

“Mirëdita…” në Beograd përballë thirrjeve për zhdukjen e shqiptarëve

Rrëmbimi i mikrofonit nga një i pranishëm gjatë hapjes së festivalit “Mirëdita, dobar dan!”, ka qenë sinjal se ata që s’e duan këtë ngjarje në kryeqytetin e Serbisë ia kanë dalë të kalojnë kordonë të tërë policie.

“Më ktheni në shtëpinë time. Ne kemi frikë nga ju”, kanë qenë disa prej thirrjeve të të riut që akuzonte shqiptarët që ia kanë vjedhur fëmijërinë. Në sfond është përkrahur nga mbi 200 veta që kanë protestuar në hapësirën ku kryqëzohen rrugët “Mbreti Millutin” dhe “Birçaninova”.

Nja 30 metra nga vendi ku ka nisur Festivali, që synon përfarimin e shqiptarëve dhe të serbëve nëpërmjet artit, protestuesit e organizuar nga organizata ultranacionaliste “Zavetnici”, kësaj radhe kanë qenë më të numërt. Kanë qëndruar më gjatë në rrugë dhe nuk kanë pushuar së kënduari këngë nacionaliste, shkruan KOHA.

Midis të tjerash kanë bërë edhe thirrje për vrasjen e shqiptarëve. Si në kor ua kanë thënë këngëve – që sipas disa studiuesve – ishin mjet frymëzimi për vrasjet që kanë kryer trupat serbe në ish-Jugosllavi. Entuziazmi i atyre që janë kundër Festivalit dhe manifestimeve të shqiptarëve në Beograd ka shkuar deri në masën sa janë hedhur fishekzjarrë.

Trupa të shumta të njësive speciale të policisë kanë siguruar rragët përreth Qendrës për Dekontaminim Kulturor në kryeqytetin serb. Derisa kanë valëvitur flamuj serbë e portrete heronjsh të tyre, kanë protestuar edhe kundër perëndimit. Simbolet e Kosovës, ato të Bashkimit Evropian e të NATO-s i kanë bërë bashkë, duke shpërfaqur mendimet se ky koalicion është armiqësor ndaj serbëve. Kësisoj edhe sivjet, ata që numërojnë mbi 12 mijë viktima në luftën e nisur nga Serbia në Kosovë, protestave me thirrje nacionaliste e gjuhë luftënxitëse i janë përgjigjur me art.

Midis artit nga Kosova dhe nacionalizmit serb

Festivali ka nisur me shfaqjen “Unë jam vetë grua”. Por në ditën e parë vëmendja e ngjarjes është ndarë në dysh: midis Festivalit dhe protestave. Milica Gjurgjeviq e cila udhëheq me organizatën radikale “Zavetnici” nuk ka lënë kamerë pa i dalë para për të nxitur dhunë ndaj shqiptarëve.

“Jam kundër festivalit pasi nuk ka kulturë të Kosovës. Ka kulturë të komunitetit shqiptar në Kosovë. Kosova është një nocion virtual”, ka thënë ajo para mediave. Gjurgjeviqi me alamet entuziazmi ka thënë se festivali sponsorizohet nga Qeveria e Kosovës.