Në gati krejt edicionet e mbajtura në Beograd, për “Mirëdita, dobar dan!”, përballja me protesta radikalësh serbë, thirrje për vrasjen e shqiptarëve e alarme për bomba si vitin e kaluar, ishin bërë gati si pjesë e festivalit. Në edicionin jubilar, të dhjetin, kjo ngjarje është rikthyer në Prishtinë e hapja ka qenë në kontrast me atë në kryeqytetin serb. Ka nisur me solidarizim me viktimat e sulmit që la të vrarë tetë nxënës në një shkollë fillore, e te shkallët e Teatrit Kombëtar të Kosovës janë ndezur qirinj. Për organizatorët ky është mesazhi që kanë synuar të përcjellin
Me kinemanë plot për ceremoninë hapëse, dy ministra të Qeverisë të pranishëm aty e me solidarizim duke ndezur qirinj për 9 viktimat e së mërkurës në Beograd, Kosova ia ka hapur dyert festivalit “Mirëdita, dobar dan!”. Edicioni i 10-të i Festivalit ka nisur me një fotografi krejt tjetër prej asaj me të cilën pritet në Beograd. Njerëzit që mblidhen në rrugë me thirrjet për t’i vrarë shqiptarët, kordonët e policisë që bllokojnë hapësirat përreth ambienteve të Festivalit, e alarmet për bomba siç ndodh në Beograd, në Prishtinë nuk mund as të paramendohen.
Rruga “Rexhep Luci” të enjten në mbrëmje ka qenë bash sikurse në çdo ditë tjetër. Të mbledhur para Kinemasë ABC as që i ka pyetur kush përse janë aty. Dy policë kanë frekuentuar këtë rrugë në qendër të Prishtinës, sikurse ndodh shpesh edhe kur nuk ka kurrfarë ngjarjeje.
Përtej kësaj, organizatorët e Festivalit bashkë me mysafirë janë solidarizuar me 9 viktimat – prej tyre 8 fëmijë – që një nxënës i ka vrarë të mërkurën në Beograd. Në shenjë nderimi për viktimat e si simbolikë e ndarjes së dhimbjes me familjet e tyre, para Teatrit Kombëtar të Kosovës janë ndezur qirinj, siç ndodh rëndom edhe për ndonjë tragjedi në Kosovë. Pala serbe që merret me organizimin e Festivalit e ka përshkruar këtë akt si shumë kuptimplotë. Krejt ngjarja ka nisur me një minutë heshtje në solidarizim me tragjedinë në kryeqytetin serb.
Festivali që ka mbushur një dekadë ka nisur me filmin “Si mësova të fluturoj” nën regji të Radivoje Andriqit. Komedia përballë gjeneratat e reja me ato të vjetra dhe telashet familjare që kanë familjet serbe që janë të ndara midis Serbisë dhe Kroacisë. Por situata e humorit dominon kur gjeneratat e reja nuk gjejnë gjuhë të përbashkët me gjyshërit e tyre.
Paraprakisht, organizatorët e Festivalit kanë bërë thirrje për më shumë bashkëpunime e kuptim midis dy popujve.

Kultura si mjet komunikimi e promovim pajtimi
Kushtrim Koliqi, i cili udhëheq organizatën “Integra”, ka thënë se ky festival për shumë vjet ofron mundësi të bashkëpunimit në krijimtari midis Kosovës dhe Serbisë në fusha e aspekte të ndryshme. Ka treguar se më 2014 kanë nisur edicionin e parë të Festivalit nëpërmjet të cilit kanë filluar këtë rrugëtim me qëllim të krijimit të lidhjeve të reja midis Kosovës dhe Serbisë në fushën e kulturës, medias dhe shoqërisë civile.
“Gati një dekadë më vonë megjithëse sfidat politike po vazhdojnë, ne po ashtu po vazhdojmë të punojmë me të njëjtin qëllim. Pavarësisht situatës jo të mirë, respektivisht marrëdhënieve aktuale midis Kosovës dhe Serbisë, Festivali vazhdon të mbetet ndër platformat e pakta që ofron hapësirë për promovime e shembim kulturor dhe dialog për çështje e tema që ndryshe nuk diskutohen, apo edhe kur diskutohen, ato vetëm përdoren”, ka thënë Koliqi. Sipas tij, si organizatorët e kuptojnë se ka çështje historike e politike të rrënjosura thellë që po vazhdojnë të krijojnë ndarje midis shoqërive.
“Por ne besojmë se shkëmbimi dhe bashkëpunimi kulturor mund të jenë një mjet i fuqishëm për promovimin e pajtimit dhe ndërtimit të një të ardhmeje paqësore”, ka thënë ai.
Sofia Todoroviq, e cila udhëheq Iniciativën e të Rinjve për të Drejtat e Njeriut në Beograd, organizatë kjo që bashkëorganizon Festivalin, ka thënë se bëhet fjalë për një edicion ku të gjithë ndihen keq për shkak të asaj që ka ndodhur në Beograd. U ka bërë thirrje të gjithëve që pas shfaqjes së filmit të bashkohen për të ndezur qirinj në shkallët e Teatrit Kombëtar të Kosovës. E shumica kanë qenë aty.
Dhjetëra qirinj janë ndezur në solidarizim me viktimat. Megjithëse në ceremoninë hapëse pos ministrit për Komunitet dhe Kthim, Nenad Rashiq, ka qenë edhe ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, ajo nuk është parë kur janë ndezur qirinjtë.
E kolegu i saj, ministri Rashiq, ka thënë se me të vërtetë është shumë i gëzuar me atë që ka parë.
“Pashë që kosovarët e rinj pa marrë parasysh të cilit nacionalitet janë, së bashku vijnë këtu që të ndezin qirinj si mbështetje simbolike. Në këto momente e shoh që për Kosovën ka shpresë pasi kemi gjeneratat e reja të cilat nuk janë të ngarkuara sikurse ne gjeneratat e vjetra me historinë që kemi pasur në të kaluarën”, ka thënë ai. Sipas Rashiqit, kjo tregon se te qytetarët duhet shumë pak që të merren vesh mes vete qofshin ata shqiptarë apo serbë Sipas tij, kjo ndodh derisa nuk përzihet politika.
“Gjeneratat e reja duhet të jenë më të mençura e më vizionare se ne, të mos mbeten te e kaluara, por të shikojnë nga e ardhmja. Ky moment tregon se jemi i njëjti popull, flasim gjuhë të ndryshme, por ndihemi njëjtë”, ka thënë ai.
Todoroviq: “Ky është mesazh shumë kuptimplotë”
E Sofia Todoroviq ka thënë se është shumë e lumtur me këtë iniciativë të njerëzve në Prishtinë dhe mysafirëve të festivalit. Ka thënë se janë shumë të pikëlluar për atë tragjedi në Beograd.
“Por njerëzit e Prishtinës treguan solidaritet dhe u bashkuam këtu për të ndezur qirinjtë në mënyrë që të shprehim solidaritetin tonë. Mendoj se ky është mesazh shumë kuptimplotë që tregon që mund të kujdesemi për njëri-tjetrin”, ka thënë ajo. Duke krahasuar se si në Beograd Festivali pritet me protesta, thirrje nacionaliste e alarme bombash, ka thënë se për këtë ndihet e turpëruar.
“Ndihem e turpëruar që mysafirët e Festivalit në Serbi nuk trajtohen njëjtë sikurse këtu. Besoj që vetëm së bashku mund të luftojmë për ndryshime brenda shoqërive”, ka thënë ajo.
Njëjtë edhe Kushtrim Koliqi, bashkërganizator i Festivalit ka thënë se ajo që ka ndodhur në Beograd është një tragjedi me të cilën duhet solidarizuar.
Edicionet në kryeqytetin serb me refren për vrasje shqiptarësh
Për dallim nga Prishtina, hiç më larg se vjet në maj, organizatorët e festivalit “Mirëdita, dobar dan!” midis ceremonisë hapëse i ishin drejtuar publikut me urdhrin që kishte arritur nga Policia: Hapësirat e Qendrës për Dekontaminim Kulturor duhet të zbrazen pasi ka alarm për bombë.
Situata kishte bërë që ceremonia e hapjes së edicionit të nëntë të Festivalit të ndërpritej. Pas pak minutash hapësira qe kontrolluar nga një njësit për çminim i përbërë nga dy policë dhe një qen. Pas nja 25 minutave ishte konfirmuar se alarmi ishte i rrejshëm.
KOHA kishte marrë vesh që njoftimi për bombë ka ardhur nga e njëjta adresë elektronike prej nga qe lëshuar një tjetër njoftim për bombë një natë më herët pas hapjes së ekspozitës “Gjithë lotët tanë” në “NGO Hub”.
“Radikalët që protestonin edicioneve të kaluara kanë ndërruar strategjinë. Po japin alarme për bomba”, kishte thënë duke ironizuar një prej organizatorëve të Festivalit.
Viteve të kaluara radikalët serbë organizonin protesta pranë Qendrës për Dekontaminim Kulturor duke kundërshtuar që arti shqiptar të shpërfaqej në Beograd. Më 2018 protestave u kishte prirë vetë lideri radikal Vojislav Sheshel. E për dallim prej edicionit të vjetëm, politikania Milica Gjurgjeviq-Stamrtnovski ishte gjithnjë një prej liderëve të protestave. Vjet veç pesë veta kishin kundërshtuar Festivalin. Ishin vetëquajtur “Radikalët nga Prishtina”. Organizatorët ju kishin ndarë mirënjohje Lush Krasniqit dhe Marinko Gjuriqit. Krasniqi është i mbijetuar i Masakrës së Mejës, ku në prill të vitit 1999 mbi 370 shqiptarë, midis tyre gra e fëmijë, të gjithë civilë, ishin vrarë nga forcat policore e ushtarake të Serbisë. Është njëra prej masakrave më të mëdha rreth 400 të tillave në Kosovë.
{gallery}
Sivjet në Prishtinë publiku do të ketë mundësinë të dëgjojë grupin e vajzave rome “Pretty Loud” të cilat përmes këngëve të tyre në gjuhën rome, serbe dhe angleze, siç shkruhet në program, këndojnë për stereotipat, drejtësinë sociale dhe racën, por edhe për sfidat, shpresat e ëndrrat e tyre. Po aty, bëhet e ditur se “poetët Mirjana Naranxhiq dhe Gjorgje Simiq do të kenë mundësinë të flasin për veprat dhe përmbledhjet e tyre poetike, do t’i lexojnë poezitë e tyre në formën e një mbrëmjeje poetike”. Në këtë edicion, sipas organizatorëve, do të diskutohen edhe “tema të rëndësishme për Kosovën e Serbinë”. Në këtë kontekst do të përurohet libri “Serbia tjetër: Srđa Popović” nga Shkëlzen Gashi dhe do të mbahen debatet në temat "Trashëgimia tjetër", “Liria e lëvizjes në rajon: tani është koha”. Përurimi i librit “Momenti kur filloi lufta për mua” do të pasohet nga një bashkëbisedim me autorët.
“Dita e fundit e festivalit do të mbyllet me shfaqjen teatrore ‘Bimët po të ngordhnin, do bëhej nami!” nga Ivor Martinić dhe një ndejë përmbyllëse me DJ Flip nga Beogradi”, shkruhet në njoftim.
Festivali që ka për frymëzim aktorin nga Kosova ne man botëror Bekim Fehmiu, sivjet është hapur bash në kinemanë ku Fehmiu në të gjallë, kur vinte në Prishtinë e kishte vendin e tij të rëndomtë për takim me miq. Prishtina qysh në ditën e parë e ka pritur “Mirëdita...” me solidarizim.