Kulturë

“DokuFesti” i përgjigjet pandemisë me “transmision” digjital

Festivali i filmit dokumentar dhe të shkurtër “DokuFest” për herë të parë në 19 vjetët e ekzistencës së tij do të përjetojë një transformim të imponuar. Sivjet do të bartet në sferën digjitale, shkaku i situatës së krijuar me pandeminë COVID-19. Hapësira digjitale do t’ua zërë vendin kinemave tradicionale të “DokuFestit”, ku në 18 edicionet e shkuara janë mbledhur adhuruesit e dashamirët e filmit.

e “DokuFestit” kanë bërë të ditur se duke ndjekur paqartësitë që po e përcjellin krizën globale të shkaktuar nga pandemia, si dhe duke pasur parasysh njoftimet e fundit të Qeverisë së Kosovës lidhur me situatën e sigurisë dhe me shëndetin publik, është vendosur që edicioni i 19-të i Festivalit të bartet në sferën digjitale. Deri para një muaji stafi ishte përgatitur për një edicion, që ishte quajtur hibrid, ku një pjesë e filmave do të shfaqeshin online, e tjetra nëpër kinema. Por gjërat kanë ndryshuar.

“Këtë vit festivali do të jetë i hapur prej 7-25 gusht me programe të filmit, panele, masterklasa, punëtori bashkëpunuese, si dhe me performanca muzikore online”, thuhet në komunikatën e festivalit.

Aty sqarohet se frymëzimi ka ardhur nga bendi britanik post-punk “Joy Division” dhe nga njëra prej këngëve të tyre ikonike.

“Tema e këtij viti TRANSMISIONI në shumë mënyra do të vërë në pah TRANSICIONIN të cilin jemi duke e përjetuar si shoqëri, teksa po e kuptojmë që bota dhe çdo gjë që dimë për të po TRANSFORMOHET shumë shpejt. Andaj këtë vit ju ftojmë të jeni pjesë e një eksperimenti ku përmbajtja e Festivalit do të transmetohet digjitalisht dhe do të zgjerohet përtej kinemave dhe hapësirave të zakonshme të qytetit të Prizrenit. Kësisoj, shpresojmë të transformohemi personalisht dhe kolektivisht përmes mënyrave të reja të të menduarit, të punuarit dhe shpërndarjes”, ka njoftuar të enjten “DokuFest”.