Kulturë

Franca promovon “GRANFestin” kosovar si ngjarje botërore

Descriptive Text

Prishtinë, 11 mars – Si çdo vit, edhe sivjet ndjekësit e kulturës në gjithë botën do të kenë disa opsione kulturore gjatë vitit.

E Ministria e Kulturës e Francës programin e saj kulturor e ka ndarë në disa shtylla, por në rend të parë e ka artin e nëntë. Mundësitë për ta eksploruar atë janë të larmishme, pasi që aktivitete të ndryshme do të mbahen gjatë gjithë vitit. Në mesin e manifestimeve të agjendës kulturore të vitit “BD 2020”, vend kryesor zë Festivali Ndërkombëtar i Romanit Grafik të Angoulêmes, i dyti më i madh në Evropë dhe i treti në botë, që mbahet nga viti 1974.

Por vëmendjen e Ministrisë franceze e ka marrë festivali kosovar “GRANFest”. Është përfshirë në këtë agjendë me të cilën Ministria promovon ngjarjet që do të mbahen në Francë, por edhe në mbarë botën, gjatë këtij viti i shpallur nga shteti i Francës vit i romanit grafik. Organizatorët e festivalit ndërkombëtar të romanit grafik “GRANFest” kanë thënë se kjo përzgjedhje është afirmim i vlerave që Festivali mundohet të promovojë. E po ashtu edhe një mundësi e mirë për të krijuar kontakte me autorë romanesh grafike, por edhe me festivale të tjera. “GRANFest” këtë vit shënon edicionin e dytë dhe pritet që të mbahet prej 4 deri më 6 shtator.

Gani Jakupi, artisti shqiptar që jeton në Barcelonë, i cili është ideator dhe organizator i “GRANFestit”, ka thënë se muajin e kaluar sa ishte duke biseduar me përfaqësues të ambasadave të ndryshme për të mbështetur edicionin e sivjetmë, i ishte bërë e ditur se do të bëhen përpjekje që edhe “GRANFest” të përfshihet në “Bande Dessiné 2020” (Libri komik 2020) pasi që seleksionimi është shumë rigoroz.

(Gjerëpsisht, sot në “Kohën Ditore”)