Kulturë

Neziraj: Teatri duhet të rreshtohet me viktimat

Jeton Neziraj ka pikëpamje të qarta mbi rolin e dramës. “Teatri duhet të jetë në anën e atyre që nuk kanë pushtet, në anën e viktimave, në anën e pakicave”, thotë ai.

Si dramaturgu kryesor në Kosovë, ai sulmon ballazi çështjet politike në vendin e tij.

Drama e tij e vitit 2018, “The Hypocrites, or The English Patient” (Hipokritët ose pacienti anglez) fshikulloi gjendjen e mjerë të sistemit shëndetësor dhe ishte frymëzuar nga një skandal ryshfeti. Ai ka botuar njërën prej dramave të tij – në të cilën Serbia dhe Kosova përfyten për vendin e lënë bosh në BE nga Mbretëria e Bashkuar – nën llagëpin “një cinik kosovar”.

Drama e tij e vitit 2017, “Shades of Gay”, që u inskenua këtë vit në teatrin “LaMaMa” të New Yorkut, trajtonte rënien burokratike dhe shoqërore, kur një çift homoseksual regjistrohet për t’u martuar në një qytet të Kosovës. Drama e tij e re, “Department of Dreams” (Departamenti i ëndrrave), një komedi orwelliane e vendosur në një autokraci, tashmë është në teatrin “City Garage” në Los Angeles.

Një dramë, posi një fabul, e vendosur në një botë ku njerëzit janë të detyruar të depozitojnë ëndrrat e tyre në një bankë të madhe të kontrolluar nga shteti dhe ku “ata që mbahen si diktatorë duan të kontrollojnë të gjitha aspektet e jetës së njerëzve”, drama u shkon më shumë vendeve sesa vetëm Kosovës.

Neziraj është marramendshëm prodhimtar – ai ka shkruar më shumë se 25 drama – dhe veprat e tij janë performuar gjithandej Evropës, ani pse ende nuk janë dhënë në Mbretërinë e Bashkuar. Dramat e tij janë të rrepta, shpërfillëse dhe absurde. Ato shëmbëllejnë Ibsenin, Molièrein dhe Kafkën, përderisa hakërrehen kundër korrupsionit dhe padrejtësisë, duke bërë që audienca të ballafaqohet me plagët e një vendi që e ka fituar mëvetësinë e tij vetëm në vitin 2008, dhe ku lufta dhe pastajshmëria e saj ende po procesohet. (Artikullin e plotë të The Guardian mund ta lexoni në shqip në numrin e sotëm të Kohës Ditore)