Futboll

Te Leverkuseni mohojnë bisedimet me Milanin për Xhakën

Granit Xhaka

Drejtori sportiv i Bayer Leverkusenit, Simon Rolfes, në një intervistë të gjatë dhënë për Kolner Stadt-Anzeiger, ka folur për të ardhmen e mesfushorit Granit Xhaka.

Ai ka thënë se Leverkuseni nuk ka pasur bisedime me drejtuesit e Milanit për Xhakën. Rolfes ka zbuluar edhe bisedën që ka pasur me kapitenin e Zvicrës.

“Le të përqendrohemi te faktet. Kishte shumë spekulime për një transferim te Milani, por nuk pati negociata. I thashë granitit pas ndeshjes së fundi të sezonit ndaj Mainzit se ai mbetet një lojtar i rëndësishëm për ne. Kjo është e tëra”, ka thënë Rolfes.

Ai ka komentuar edhe shkrimin e gazetës gjermane “Bild”. Sipas shkrimit të “Bildit, Xhaka ishte i mërzitur që pasardhësi i Xabi Alonsos, Erik ten Hag, e kontaktoi Xhakën vetëm pas tri javësh.

Holandezi e kishte kontaktuar yllin e Leverkusenit, vetëm tri javë pas prezantimit të tij.

“Jo. Djemtë janë me pushime, po ashtu edhe Graniti, i cili ka një kontratë me Leverkusenin. Të gjithë lojtarët e dinë kur duhet të vijnë në stërvitje dhe pastaj fillon gjithçka. Nëse do ta telefononte lojtarët gjatë pushimeve, ndoshta do të mërziteshin. Nuk kam parë asnjëherë një trajner të ri që telefonon të gjithë skuadrën që në ditën e parë”, është shprehur ai.

Ai ka theksuar se lojtarët nuk kanë se për çfarë të brengosen.

“Ata mund dhe duhet të bëjnë pushime në qetësi dhe të rimbushin bateritë e tyre. Kur të kthehen, do të ketë shumë kohë për t’u diskutuar, nëse është e nevojshme”, ka thënë drejtori sportiv i Leverkusenit.

Xhaka si futbollist është rritur te Baseli, ndërsa karrierë ka bërë edhe te Borussia Monchengladbachu dhe Arsenali.

Nga Arsenali u transferua te Leverkuseni në vitin 2023 për 15 milionë euro.

Xhaka me Leverkusenin i fitoi Bundesligën dhe Kupën e Gjermanisë para dy edicioneve. Në sezonin e kaluar ishte nënkampion i Gjermanisë.