Kulturë

Skandali i madh në Stokholm

Skandali i madh në Stokholm
 

Ndarja e Çmimit Nobel për letërsi për vitin 2019 shkrimtarit austriak Peter Handke është skandal i madh që të enjten shpërtheu në Stockholm. Jo për shkakun se Handke nuk është shkrimtar i mirë – sepse është shkrimtar i mirë. Por për shkakun se Handke ishte dhe mbetet zëri intelektual që në vazhdimësi ka qëndruar në anën e kriminelëve të luftës. Që nga nisja e luftërave në ish-Jugosllavi, Handke ka qëndruar në mbrojtje të Slobodan Milosheviqit dhe regjimit të tij.

Handke akuzoi Perëndimin se po e sulmonte Serbinë e “pafuqishme”, mohoi gjenocidin në Srebrenicë edhe pasi ai u vërtetua në Tribunalin e Hagës, qëndroi në anën e Serbisë edhe në kohën e luftës në Kosovë më 1998-1999, shkroi libra e ese dhe bëri me qindra deklarata e akte, që jo vetëm se ishin verbërisht pro-serbe, por ishin mohuese të krimeve të luftës që Serbia dhe forcat nën komandën e Beogradit kanë kryer gjithandej ish-Jugosllavisë, prej Sllovenisë e Kroacisë, e deri në Bosnjë-Hercegovinë e Kosovë.