Serbët e Bosnjës të premten nderuan fituesin e diskutueshëm të Çmimit Nobel të Letërsisë për vitin 2019, Peter Handke, i cili është i njohur për pikëpamjet e tij kontroverse mbi krimet e luftës serbe gjatë luftërave të viteve 1990 në Ballkan, njofton AP.
Novelisti dhe skenaristi austriak u mirëprit nga zyrtarët serbë të Bosnjës ndërsa mbërriti në Banja Luka, qyteti kryesor ku jetojnë serbët e Bosnjës. Nga atje, Handke u drejtua për në qytetin lindor të Vishegradit ku mori çmim letrar.
Ndërsa Handke adhurohet nga serbët për mbështetjen e tij në politikat e tyre nacionaliste, ai konsiderohet persona non-grata në kryeqytetin boshnjak, Sarajevë, i cili dominohet kryesisht nga boshnjakët myslimanë.
"Unë jam i lumtur që jam këtu. Ky është një moment i madh për mua", ka thënë Handke në Banja Luka, sipas televizionit serb të Bosnjës.
Zyrtarët boshnjakë në vitin 2019 bojkotuan ceremoninë e ndarjes së çmimeve Nobel për Handke dhe parlamenti rajonal i Sarajevës gjithashtu denoncoi Akademinë Suedeze për dhënien e çmimit atij.
Handke ka qenë një mbështetës i serbëve dhe udhëheqësit të tyre Slobodan Millosheviq gjatë fushatave të tij të luftës në Ballkan dhe ka kontestuar se masakra e vitit 1995 e 8.000 burrave dhe djemve myslimanë boshnjakë në qytetin e Srebrenica ishte gjenocid. Kjo bie në kundërshtim me disa vendime nga gjykatat ndërkombëtare, të cilat kanë shpallur masakrën në enklavën e Bosnjës Lindore një gjenocid.
Edhe
“The Handke Project” do t’ia heqë maskën mohuesit të gjenocidit në Teatrin e Luftës
Mini-shteti serb, Republika Srpska, nderoi të premten Handke për "punën dhe kontributin e jashtëzakonshëm në fushën e zhvillimit kulturor dhe shpirtëror dhe për kontributin e jashtëzakonshëm në zhvillimin dhe forcimin e marrëdhënieve të përgjithshme me Republika Srpska".
Presidentja Zeljka Cvijanovic falënderoi Handke për mirëkuptimin e treguar duke përfaqësuar interesat e drejta serbe.
Republika Srpska u formua në një marrëveshje paqeje të ndërmjetësuar nga SHBA-ja që i dha fund luftës së Bosnjës më 1995 pasi rreth 100.000 njerëz vdiqën. Dy federatat e vendit, njëra e udhëhequr nga serbët e Bosnjës dhe tjetra nga boshnjakët dhe kroatët, janë të lidhura së bashku nga institucionet e përbashkëta boshnjake.