Artistë shqiptarë bashkohen në një këngë për të mbrojtur lumenjtë e Shqipërisë

20 shtator 2018 15:45

Me nismën e dy artisteve, Elina Duni dhe Eda Zari, muzikantë, producentë, muzikologë, historianë e artistë shqiptarë dhe ndërkombëtarë janë bashkuar për të realizuar këngën dhe videon sensibilizuese “Lum Lumi i Lirë”.

Kjo këngë lindi si nevojë për përhapjen e informacionit mbi padrejtësitë që po u bëhen lumenjve, natyrës, si dhe për të mbështetur zërin protestues të banorëve pranë zonave të këtyre lumenjve, thuhet në tekstin përshkrues të projektit.

Kështu, këta artistë e përdorin artin e tyre për t’i dhënë zë natyrës dhe qytetarëve, të cilët duan ta mbrojnë atë kundrejt padrejtësive sistematike ushtruar drejt saj.

Ndonëse me një këngë nuk mund ta ndryshojmë botën, krijimi i saj rrjedh nga niveli i vetëdijesimit për atë të keqe të pakthyeshme që po ndodh në Valbonë, në Vjosë, apo ajo që po ndodh me ujin, ajrin, natyrën, tokën shqiptare, por edhe për natyrën e gjithë botës, thuhet tutje në mesazhin shoqërues të projektit.

Grupi i artistëve që i janë bashkuar këtij projekti sensibilizues përbëhet nga Elina Duni, Eda Zari, Linda Rukaj, Rhani Krija, Vlashent Sata, Emiljano Dhimo, Shpat Deda, Gert Kapo, Henning Jung, Kleidi Eski, Sokol Çunga, Mikaela Minga.

Detaje të tjera do të mund t’i kuptoni nesër në emisionin Express në KTV nga ora 16:30.

© KOHA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.

Komentet

Shto koment

Të ngjashme