Kulturë

Koncert në 1700 metra lartësi mbidetare si thirrje për lirimin e lumenjve

Damn the dams - koncert

Me Shpat Dedën, Alban Nimanin e grupit “Asgjë Sikur Dielli” dhe me Dren Abazin ka jehuar kënga në frymë të dashurisë për natyrën e mjedisin. “Damn the dams – Liro lumenjtë!” në freskinë e pyjeve të Sharrit, larg të gjitha akustikave të përditshme të qendrave urbane e ndotjeve maksimale të industrive që ka Kosova, e ka tjetërsuar konceptin e koncerteve të zakonshme. Siç ngjan kohëve të fundit, festivalet nisen me ide të mëdha, me unifikim të qartë drejt realizimit të një qëllimi

Koncerti i organizuar nga organizata për mbrojtjen e mjedisit “EcoZ” nuk ka qenë vetëm një koncert, ka qenë protestë për largimin e hidrocentraleve nga parqet kombëtare. Të shtunën në Brezovicë, në kuadër të Parkut Kombëtar të Sharrit është improvizuar skena për performancat e artistëve që në mënyrë metaforike të bëjnë thirrje që të ndalohet shkatërrimi i lumenjve

Në 1700 metra lartësi mbidetare zakonisht shkohet për të skijuar gjatë dimrit, mirëpo në pikë të verës njerëzit janë ngjitur atje për një tjetër kauzë. Koncerti i organizuar nga organizata për mbrojtjen e mjedisit “EcoZ” nuk ka qenë vetëm një koncert, ka qenë protestë për largimin e hidrocentraleve nga parqet kombëtare. Të shtunën në Brezovicë, në kuadër të Parkut Kombëtar të Sharrit është improvizuar skena për performancat e artistëve që në mënyrë metaforike të bëjnë thirrje që të ndalohet shkatërrimi i lumenjve.

Me Shpat Dedën, Alban Nimanin e grupit “Asgjë Sikur Dielli” dhe me Dren Abazin ka jehuar kënga në frymë të dashurisë për natyrën e mjedisin. “Damn the dams – Liro lumenjtë!” në freskinë e pyjeve të Sharrit, larg të gjitha akustikave të përditshme të qendrave urbane e ndotjeve maksimale të industrive që ka Kosova, e ka tjetërsuar konceptin e koncerteve të zakonshme. Siç ngjan kohëve të fundit, festivalet nisen me ide të mëdha, me unifikim të qartë drejt realizimit të një qëllimi. Hidrocentralet janë sulmuar kësaj radhe. Ndonëse janë burim i ripërtërishëm i energjisë, ato që janë në parqet kombëtare të Kosovës në shumicën e rasteve janë objekte të ndërtuara ilegalisht.

Sipas drejtoreshës ekzekutive të organizatës “EcoZ”, Egzona Shala-Kadiu, hidrocentralet që gjenden në Parkun e Sharrit dhe në Bjeshkët e Nemuna e devijojnë rreth 90 për qind të rrjedhjes së lumit. Mbi 5 mijë metra të lumit janë të vendosura në gypa dhe thirrja e tyre ka qenë që qeveria e ardhshme që do të formohet ta ketë parasysh që këto objekte janë ilegale dhe duhet të largohen nga parqet kombëtare dhe të rrjedhë lumi i lirë, qoftë ai i Lepencit, qoftë ai i Lumbardhit.

“Natyrën ne nuk e shesim, por lumenjtë tanë duhet të lihen të lirë, të jetë uji i barabartë për të gjithë”, ka thënë ajo në një konferencë për media të premten.

Kundër shkatërrimit të këtyre lumenjve ka pasur edhe protesta, ku ishte kërkuar nga Sekretariati i Komunitetit të Energjisë në Vjenë të Austrisë që t’i hetojë shkeljet e ligjeve ndërkombëtare, që vijnë nga ndërtimi i hidrocentraleve në Parkun Kombëtar të Sharrit. Po ashtu, kohë më parë, KOHA pati raportuar se Ministria e Mjedisit në heshtje dhe pa pjesëmarrje të publikut e kishte licencuar hidrocentralin “Lumbardhi 1” në Deçan për periudhë pesëvjeçare dhe se disa hidrocentrale kishin vepruar në mënyrë të kundërligjshme, pasi pa u pajisur me leje mjedisore, ato ishin lëshuar në operim.
Kështu, përmes artit është synuar të jehojë kjo thirrje e të ngrihet zëri kundër këtyre qasjeve të paligjshme dhe sado që bënte ftohtë e binte shi, kjo nuk e ka ndaluar rrjedhën e programit të organizatës. Gjatë ditës është organizuar një panair lokal me komunitetin serb të asaj zone, si dhe nën reshjet e shiut është organizuar ngjitje dhe piknik për pjesëmarrësit. Mbrëmja qe rezervuar për koncertin e planifikuar. Shpat Deda e ka nisur thirrjen për mbrojtje të mjedisit përmes këngës “E du”. 
“Dashnia kallëzohet kur ia nis mos me e gjujtë bërllokun në tokë”, ka thënë ai pasi e ka përfunduar këngën. Sipas tij, është një send shumë i vogël, por shumë i rëndësishëm, që mund ta bëjnë të gjithë.
Edhe këngët e tjera, sipas tij, e kanë pasur të njëjtën kauzë. “Përgjithmonë”, “Të shtrirë mbi kanape”, “Instinktivisht” e “Ninullë” e kanë vazhduar atë që Shpat Deda e bën prej vitesh në Kosovë e në Shqipëri.

“Po, unë në fakt vazhdimisht i përkrah kauzat për mbrojtjen e mjedisit, nuk është hera e parë, kam mbi gjashtë-shtatë koncerte që i kam përkrahur të tillat në Shqipëri dhe në Kosovë. Unë kaloj shumë kohë në natyrë edhe është obligim yni ta ruajmë natyrën, fatkeqësisht, mjedisi në Kosovë nuk është shumë në gjendje të mirë, kështu që na takon secilit të bëhemi bashkë për këtë dhe iniciativa të këtilla janë të mirëseardhura”, ka thënë ai pasi e ka përfunduar pjesën e tij të koncertit.

Vend i ka lënë performancës së Alban Nimanit, anëtar i grupit “Asgjë Sikur Dielli”, i cili me tingujt e kitarës e saksofonit e ka kombinuar në harmoni të përkryer zërin e shumëpritur prej publikut që i numëronte më pak se 100 persona. Ai ka kënduar këngë, si “Ma lehtë pa dhimbje”, “Mendoja çdo gjë merr fund pa ty”, “Disident” e “Ku ka më mirë se me qenë shqiptar”, teksa herë pas here bënte thirrje në emër të kauzës së organizimit.

“Krejt ju që keni ardhë këtu, keni ardhë se e doni planetin. Ky është i vetmi që kemi, s’kemi tjetër”, ka thënë ai në skenë teksa ka potencuar se të gjithë duhet të bashkohen kur vjen puna te planeti Tokë, pavarësisht a janë artistë apo njerëz të thjeshtë, shqiptarë apo serbë, izraelitë apo palestinezë. Sipas tij, ata të paktë lumenj që i ka Kosova, duhen ruajtur.

“Së pari, mund të them që është shumë e rrallë që bëjmë muzikë në një kësi vendi në natyrë, rrallë na bie në kësi vendi që është magjik, si diamant, si Brezovica që e kemi në Kosovë, po më vjen mirë që e kanë filluar këtë kauzë me mbrojte, duhet me i hapë sytë ne me mbrojtë ambientin, se këtë e kemi, domethënë këtë natyrë. Kosova ka shumë pak lumenj, duhet me i ruajtë se ka pak ujë edhe ta duam vendin, ta duam njëri-tjetrin, ky është mesazhi im për këtë publik e për këtë popull”, ka thënë Alban Nimani për KOHËN.

Me tingujt e fuqishëm të saksofonit, trombonit e baterive, e ka filluar performancën edhe Dren Abazi. Ka kënduar këngë, si “Natën”, “Hana”, “Ti dhe unë”, “Lamtumirë” dhe “E dehur jam”. Për këtë të fundit ka hezituar pak, duke thënë se është kënduar aq shumë sa është bërë bajat. Për kauzën e organizimit, ka treguar se nuk ka qenë kurrë indiferent. Sipas tij, natyra kundërvihet sa herë që veprohet kundër saj.

“Është një çështje që nuk mund të jem indiferent asnjëherë, janë disa gjëra që nuk munden me u prekë edhe nuk bën me u prekë, siç është natyra, që është një pasuri e jashtëzakonshme, pa të cilën nuk mundemi. Sa herë që veprojmë kundër natyrës, natyra na kundërvihet shumë keq, kështu që është një kauzë që unë s’jam menduar dy herë, përndryshe vendi është edhe më motivues, është i bukur, është një vend që na lidh edhe me kujtime me fëmijërinë, me shoqërinë, me gjithçka”, ka thënë artisti Dren Abazi.

Për fund i ka ftuar edhe një herë të ngjiten në skenë edhe dy artistët e tjerë të mbrëmjes, teksa bashkë me DJ Angler dhe “MIM” kanë performuar këngë të njohura, si “Era”, “Në tren për Perzeren” dhe “Kaçurrelja”. Me tinguj të ngadaltë që shkonin drejt përshpejtimit e kanë mbyllur natën me “Bella ciao”, teksa organizatorja e ka quajtur këtë natë “jehonë ndaj bjeshkëve”.

“Duke i pasur parasysh të gjitha sfidat sa mundemi me organizu një aktivitet të këtillë në bjeshkë, sigurisht i ka pasur ato momentet e veta të panikut edhe momentet e veta të kënaqësisë, duke filluar prej panairit, i cili ka qenë me biznese nga lokaliteti serb edhe ecjen që e kemi bërë, e që një moment shumë karakteristik që në të njëjtën kohë ka pasur edhe reshje të shiut edhe me begatinë e artistëve, si Shpati, Albani dhe Dreni, sigurisht që ua kemi dhënë bjeshkëve një lloj jehone, një lloj zëri edhe një lloj këmbimi që sa më shumë të jemi të kujdesshëm për këto parqe, se këto i kemi mushkëritë tona”, ka thënë Egzona Shala-Kadiu, drejtoreshë e organizatës “EcoZ”.

Ka theksuar se pjesëmarrësit kanë qenë interaktivë dhe, sipas saj, ky është edhe motivi i organizimit. “Diçka e bërë për herë të parë” e ka quajtur këtë lloj koncerti Shala-Kadiu.

“Në përgjithësi, pjesëmarrësit është parë se kanë qenë shumë të kënaqshëm, që është njëri ndër motivet më të mëdha tonat, që pjesëmarrësit kanë qenë shumë të ndërlidhur me natyrën, nostalgjinë e tyre edhe që janë arsyeja që ne vijmë edhe në 1700 metra lartësi mbidetare për me kriju një koncert që është diçka për herë të parë e organizuar këtu në këtë vend, edhe për ne, edhe për të gjithë artistët, besoj që e ka ndier edhe publiku dashurinë e madhe ndaj mjedisit”, ka shtuar ajo.

Koncerti nuk ishte vetëm një mbrëmje muzikore. Ka përcjellë një mesazh të fuqishëm se arti mund të shndërrohet në zë të natyrës. Gjendja është alarmante kur lumenjtë janë pak dhe natyra është shpesh nën kërcënim, mirëpo ky organizim u ka kujtuar njerëzve se ruajtja e saj nuk është vetëm detyrë institucionale, por përgjegjësi e secilit.