KTV programi

Sezoni i ri i KTV-së, nga 7 shtatori

Kohavisioni do të vijë me skemën e re programore nga 7 shtatori. Emisionet të cilat tashmë janë pjesë e ekranit tuaj do të rikthehen me ndryshime dhe risi për sezonin e ri televiziv 2020-2021.

Nga programi i mëngjesit SOT, dita juaj do të nisë mbarë me rubrikat e reja që do t’i sjellë ekipi i emisionit. Emisioni “Express” do të rikthehet në terminin e tij të zakonshëm për pasditet tuaja të mbushura me plot argëtim dhe informacion nga fusha e artit dhe showbizit deri tek sporti e zhvillimet e fundit politike në vend. Shikuesit e vegjël do të jenë në shoqëri me gjetjet e reja të shkencëtares 11-vjeçare Eni përmes serisë televizive “Androidët e Enit”, që do të vijë në transmetim nga e hëna deri të premten nga ora 10:00, derisa vikendeve emisionet “Treni”, i cili transmetohet të shtunave nga ora 15:30 dhe “Programi Fluturues i Fëmijëve”, i cili transmetohet nga ora 16:25 do të vijnë krejtësisht me përmbajtje të re.

Në ditët e punës ‘primetimei’ nga ora 20:00 është rezervuar për emisionet që u dedikohen zhvillimeve politike në vend duke filluar nga e hëna me emisionin “Raport” me autor Ridvan Hamzën,i cili sjell çdo javë përmbajtje tematike për tema pak të trajtuara në mediat kosovare, duke vazhduar me emisionin “Desku” në drejtimin e Agron Bajramit dhe Brikenda Rexhepit me debate dhe intervista ekskluzive që vijnë çdo të martë, të mërkurë dhe të enjte dhe duke e përmbyllur javën çdo të premte me emisionin “038” në drejtimin e Rajmonda Zhdrellës, magazinë e cila do të vazhdojë të jetë zëri i banorëve të kryeqytetit.

Adhuruesit e serialeve turke do të mund të ndjekin episodet e reja, nga e hëna deri të shtunën të “Rrahje Zemre” me fillim nga ora 10:45 dhe ato të “Mollë e ndaluar” çdo dite pune nga ora 21:30. Adhuruesit e serialeve amerikane do të jenë të shoqëruar nga seria “Rikthimi” që do vijë në transmetim çdo të shtunë nga ora 23:30.

Vikendet në sezonin e ri do të plotësohen edhe me disa emisione të reja, ndër të tjera magazinën informative rajonale “Via Balcanica” të cilën Kohavisioni do ta realizojë në bashkëpunim me dy televizione të tjera dhe emisioni argëtues “N’ Shpi”. Ndryshimet nuk do të mungojnë as në sezonin e ri të emisioneve “Fashionista”, “Nëpër Film” e “1 kafe me Labin”.