Është përfshirë nga flakët fabrika e dyshekëve, “Comodita” në Gjakovë. Zjarrfikësit kanë dalë në vendin e ngjarjes dhe po tentojnë ta lokalizojnë zjarrin.
Policia e Kosovës ka njoftuar se sipas informatave të pranuara deri tash nuk raportohet për të lënduar, por se verifikimi do të vazhdojë.
Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën.
Gazetaria profesionale është interes publik. Mbështetja juaj ndihmon që ajo të mbetet e pavarur dhe e besueshme. Kontribuoni edhe ju. 1 euro e bën dallimin.
Letër lexuesit — pse po kërkojmë mbështetjen tuaj Kontribuo“Rreth orës 16:50, jemi njoftuar se në rrugën “Gjergj Sokoli” në Gjakovë një fabrikë është përfshirë nga zjarri. Njësitet policore dhe zjarrfikësit kanë dalë menjëherë në vendin e ngjarjes dhe janë duke ndërmarrë të gjitha masat e nevojshme për lokalizimin dhe shuarjen e zjarrit. Zjarri është i përmasave të mëdha dhe ekipet emergjente vazhdojnë punën për ta vënë situatën nën kontroll. Deri në këto momente, bazuar në informatat e pranuara, nuk raportohet për persona të lënduar, megjithatë verifikimi i plotë i situatës dhe i pasojave eventuale në njerëz do të bëhet pas shuarjes së plotë të zjarrit”, ka thënë për KOHËN Sheremet Elezaj, zëdhënës i Policisë për rajonin e Gjakovës.
Fitim Agushi nga njësitet e zjarrfikësve në Gjakovë ka thënë se kanë kërkuar përforcim nga komunat e tjera për të ndihmuar në fikjen e zjarrit.
Ndërkaq “Comodita Home” në një njoftim publik ka bërë të ditur se punëtorët janë evakuuar me kohë dhe nuk ka ndonjë të lënduar.
“Aktualisht, ende nuk janë konstatuar shkaqet e ndezjes së zjarrit dhe nuk mund të përllogaritet vlera e dëmit material”, thuhet në njoftim.
Kryetari i Gjakovës, Ardian Gjini, ka thënë se po luftohet për ta mbrojtur një nga pjesët vitale të prodhimit, që deri tash nuk është dëmtuar.
Ai ka vlerësuar zyrtarët e emergjencave, teksa ka thënë se “Comodita” është punëdhënësi më i madh në Gjakovë dhe në krye të taksapaguesve.