Policia e Shqipërisë ka njoftuar se janë arrestuar 11 persona e dy të tjerë janë shpallur në kërkim lidhur me vrasjen e portugezit 20-vjeçar në mëngjesin e sotëm në Ksamil.
Portugezi L.V. u ther për vdekje me thikë në mëngjesin e sotëm.
Policia e SHqipërisë arrestoi paraditen e të martës në Fier, S.V. (29) të dyshuar për vrasjen. Po ashtu u ndaluan edhe dy shtetas të Turqisë, E.P. (31) dhe N.M. (38) të cilët kishin fshehur dorasin në veturë me qëllim që ta transportonin në Tiranë.
U shoqëruan në Polici në Sarandë 41 shtetas, ndërsa u arrestuan 11 e u shpallën në kërkim dy të tjerë. Në mesin e të arrestuarve janë të përfshirët në zënkën, e po ashtu kamarierë të lokalit ku ndodhi vrasja, të cilët dyshohen se e kanë goditur 20-vjeçarin. U arrestuan edhe bodyguardë të lokalit që nuk kanë ndërhyrë në ngjarje.
“Në përfundim të veprimeve të para hetimore, u arrestuan në flagrancë shtetasit: S. L., alias S. V., 29 vjeç, banues në fshatin Helshan, Has; N. M., 38 vjeç, dhe E. P., 31 vjeçe, të dy me shtetësi turke; S. S., 24 vjeç, banues në Ersekë; E. B., 24 vjeç, banues në Peshkopi; I. C., 21 vjeç, banues në Librazhd; M. Zh., 27 vjeç, banues në Elbasan; M. M., 24 vjeç, banues në Gjirokastër; L. S., 44 vjeç, banues në Gjirokastër; R. Sh., 35 vjeç, banues në Gjirokastër; K. K., 29 vjeç, banues në Gjirokastër. Si dhe u shpallën në kërkim shtetasit D. H., 29 vjeç, banues në Tiranë, dhe B. B., 36 vjeç, banues në Tiranë”, ka njoftuar Policia e Shtetit. “Në orën 05:15, të datës 18.08.2026, në ambientet e lokalit “Principote” dhe më pas në plazhin e lokalit “Paradise”, në Ksamil, gjatë një konflikti midis disa personave, shtetasi S. L., alias S. V., dyshohet se ka goditur me mjet prerës (thikë) disa herë në trup shtetasin e huaj portugez L. V., 20 vjeç. Po në të njëjtën kohë, edhe shtetasi D. H., tashmë i shpallur në kërkim, e ka goditur me grushte 20-vjeçarin. Të dy këta shtetas akuzohen për vrasje me dashje, kryer në bashkëpunim. Ndërsa shtetasit S. S., E. B., M. Zh. dhe I. C., të cilët janë kamarierë në lokalin “Principote”, janë përfshirë në konfliktin e mësipërm, duke goditur me grushte 20-vjeçarin, para se ta godiste me mjet prerës shtetasi S. V., dhe janë larguar nga vendi i ngjarjes. Në momentin e kësaj ngjarjeje, në lokalin “Principote” kanë qenë në rolin e bodyguard-ëve shtetasit M. M. (punonjës policie D. R. K. M. Gjirokastër), L. S. (punonjës i I. E. V. P. Fier), R. Sh. (punonjës i Policisë Bashkiake Gjirokastër) dhe K. K., të cilët kanë pasur rolin e sigurisë dhe nuk kanë ndërhyrë për parandalimin e kësaj ngjarjeje, që fillimisht ka nisur në ambientet e lokalit “Principote”, si dhe, pas ngjarjes, nuk kanë njoftuar autoritetet e Policisë së Shtetit. Gjithashtu, në momentin e ndodhjes së kësaj ngjarjeje, në ambientet e lokalit “Principote” ka qenë edhe pronari i tij, shtetasi B. B., i cili, pas ngjarjes, është larguar duke mos kallëzuar në autoritetet përkatëse. Materialet u referuan në Prokurorinë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Sarandë për shtetasit S. V. dhe D. H., për veprën penale “Vrasje me dashje”, kryer në bashkëpunim; për shtetasit N. M. dhe E. P., për veprën penale “Përkrahje e autorit të krimit”; për shtetasit S. S., E. B., M. Zh., I. C., L. S., K. K., B. B. dhe R. Sh., për veprën penale “Moskallëzim i krimit”; si dhe për shtetasin M. M., për veprat penale “Moskallëzim i krimit” dhe “Mosmarrja e masave për të ndërprerë gjendjen e paligjshmërisë”.
Edhe
Arrestohen pesë persona pas një përleshje në Ferizaj
Vritet një 20-vjeçar në plazhin e Ksamilit
Një 20-vjeçar me shtetësi portugeze është vrarë në plazhin e Ksamilit në jug të Shqipërisë të martën.
Sipas raportimeve, M.M. është gjetur në mëngjes në shezlonë të plazhit.
Dyshohet se ai është goditur me thikë nga një person që fillimisht kishte ikur, por që u kap disa orë më vonë.
“Rreth orës 05:15, në shezlongët e plazhit, para një lokali në Ksamil, është gjetur pa shenja jete M. M., rreth 20 vjeç, i cili dyshohet se është goditur me mjet prerës (thikë). Nga veprimet paraprake dyshohet se, gjatë një konflikti për motive të dobëta, 20-vjeçari është goditur me mjet prerës nga shtetasi S. V., 29 vjeç, banues në Has, i cili është larguar menjëherë pas ngjarjes. Shërbimet e Policisë vijojnë kontrollet për lokalizimin dhe kapjen e autorit të dyshuar. Ndërkohë, Grupi hetimor ndodhet në vendngjarje dhe, nën drejtimin e Prokurorisë, po punon për zbardhjen e rrethanave dhe dokumentimin e plotë ligjor të ngjarjes”, u tha në njoftimin e Policisë para arrestimit.
Edhe
Arrestohet edhe i dyshuari i dytë për vrasjen në Gjakovë, të parit i caktohet një muaj paraburgim
E pas pesë orësh, Policia ka bërë të ditur se i dyshuari u kap në Fier, i fshehur në bagazhin e një automjeti.
“Autori i dyshuar, shtetasi S. V., 29 vjeç, ishte fshehur në bagazhin e një automjeti që drejtohej nga një 31-vjeçare, shtetase turke, ndërsa në automjet udhëtonte si pasagjer edhe një 38-vjeçar, shtetas turk. Autori i dyshuar dhe dy shtetasit turq u shoqëruan në DVP Vlorë, për veprime të mëtejshme procedurale”, u tha në këtë njoftim.