Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Kronikë

Prokuroria e heton si “vrasje e foshnjës gjatë lindjes”, sipas burimeve nëna tha se s’e dinte që ishte shtatzënë

Spitali i Ferizajt/Foto: Ilustrim

Spitali i Ferizajt/Foto: Ilustrim

(Tekst i përditësuar) - Policia e Kosovës dhe Prokuroria Themelore në Ferizaj kanë njoftuar se kanë nisur hetimet për një rast që e kanë cilësuar si “vrasje e foshnjës gjatë lindjes” që ka ndodhur në Emergjencën e Ferizajt të hënën në mbrëmje.

Sipas Policisë një paciente ka shkuar në Emergjencë rreth orës 19:00 të martën dhe siç thuhet “në tualetin e Emergjencës kishte lindur foshnjën e saj”.

Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën.

Gazetaria profesionale është interes publik. Mbështetja juaj ndihmon që ajo të mbetet e pavarur dhe e besueshme. Kontribuoni edhe ju. 1 euro e bën dallimin.

Letër lexuesit — pse po kërkojmë mbështetjen tuaj Kontribuo

Foshnja thuhet se është gjetur në gjendje të rëndë dhe ka vdekur pak kohë më pas.

Prokuroria ka njoftuar se “është duke ndërmarrë të gjitha veprimet e nevojshme hetimore për zbardhjen e gjitha rrethanave të rastit në fjalë”.

Ndërkohë Spitali i Ferizajt ka njoftuar pacientja është paraqitur në spital me ankesa për obstipacion (kapsllëk) dhe, në një moment, ka hyrë në tualet duke e mbyllur derën. 

“Pas insistimit dhe presionit nga stafi mjekësor, të cilët kishin dëgjuar zërin e një foshnjeje, dera është hapur. Nëna kishte prerë kordonin umbilikal të foshnjës dhe e kishte hedhur atë në koshin e mbeturinave, në gjendje të rëndë dhe hipotermike”, thuhet në njoftimin e QKUK-së. 

Sipas njoftimit të Spitalit menjëherë janë ndërmarrë masat emergjente për trajtimin e nënës dhe foshnjës, të cilat janë transferuar në repartet e Gjinekologjisë dhe Neonatologjisë, dhe se ekipi multidisiplinar, me përfshirjen edhe të anesteziologut, ka filluar menjëherë të gjitha procedurat reanimatore.

“Foshnja është pranuar në gjendje shumë të rëndë shëndetësore dhe janë ndërmarrë të gjitha masat e nevojshme reanimatore nga ekipi multidisiplinar i spitalit. Pavarësisht përpjekjeve maksimale dhe trajtimit intensiv nga personeli mjekësor, foshnja ka ndërruar jetë”, thuhet në njoftim.
 

 

Një burim i KOHËS brenda Spitalit të Ferizajt, ka theksuar se foshnja ka qenë e lagur dhe në hipotermi me temperaturë nën 32 gradë, tonet e zemrës nën 100 e oksigjeni nën 60. 

Sipas burimit, pacientja ka thënë se nuk e ka ditur që është shtatzënë dhe se ka pasur cikël menstrual, por nuk ka dhënë detaje për gjendjen e saj. 

Burimi ka thënë se sipas neonatologes foshnja ka qenë në termin të lindjes dhe me peshë trupore rreth 3 kilogramë.

Në raportin e Policisë thuhet se e dyshuara, është në trajtim mjekësor në spitalin Gjinekologjik të Ferizajt, ndërkohë që foshnja thuhet se është dërguar për obduksion në Institutin e Mjekësisë Ligjore. 

“Me vendim të prokurorit foshnja është dërguar në Institutin e Mjekësisë Ligjore në Prishtinë për obduksion, për procedura të mëtejshme hetimore, derisa e dyshuara ndodhet në spitalin e Gjinekologjisë, Ferizaj, për shkak të gjendjes së saj shëndetësore”, ka njoftuar Policia. 

Ndërsa sipas njoftimit të Spitalit të Ferizajt, në procedurë janë përfshirë edhe inspektorët shëndetësorë dhe ekspertiza mjeko-ligjore.