Një nxënës 14-vjeçar mëngjesin e së martës është therur me thikë derisa po shkonte në shkollën “Hilmi Rakovica”, ku e vijonte klasën e nëntë. Plagët që i janë shkaktuar e kanë lënë të vdekur në vend. Policia e Kosovës nuk ka dhënë informacione nëse ka të dyshuar apo edhe të arrestuar lidhur me rastin, e burime të KOHËS thanë se i mituri është therur për vdekje nga një bashkëmoshatar i tij.
Sulmi me thikë që iu bë të martën një 14-vjeçari e la atë të vdekur në vend.
I mituri R.H. u sulmua në rrugën “Fahri Fazliu” në Kodrën e Trimave në Prishtinë në orën 7:30 në mëngjes, derisa po shkonte në shkollë.
Ngjarja ka ndodhur pak metra larg Qendrës së Mjekësisë Familjare dhe pavarësisht intervenimit të mjekëve, plagët ia kanë marrë jetën.
Vdekja e tij është konstatuar nga ekipi mjekësor, thuhet në Raportin e Policisë së Kosovës.
Nga ajo që i kanë thënë KOHËS dëshmitarët, sulmi ndaj të miturit është kryer nga një moshatar i tij, por policia e Kosovës nuk tregoi nëse ka të dyshuar apo edhe të arrestuar për këtë rast.
Megjithatë, për të kryer hetime, ekipe të policisë janë parë edhe në shkollën fillore “Hilmi Rakovica” ku R.H. po i ndiqte mësimet.
Për nxënësin e klasës së nëntë drejtori i shkollës ka thënë se ka qenë i shkëlqyeshëm, por nuk ka pranuar të flasë para kamerës.
Trupi i viktimës është dërguar në Institutin e Mjekësisë Ligjore për Obduksion.
Për këtë ngjarje kanë reaguar ministrja e Arsimit, Arbërie Nagavci, ajo e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, si dhe kryetari i Prishtinës, Përparim Rama. Të tre kërkuan që sa më shpejt rasti të zbardhet.