Pas raportimit se ishte vjedhur një çantë në rrugën “Rexhep Luci” të dielën në Prishtinë, Policia e Kosovës e ka arrestuar një shtetas të huaj.
Gjatë arrestimit, i dyshuari ka rezistuar dhe ka sulmuar zyrtarët policorë duke iu shkaktuar lëndime trupore dy prej tyre.
Zëdhënësi i PK-së, Daut Hoxha, tha për KOHËN se i arrestuari është dërguar për trajtim mjekësor-psikiatrik, ndërsa nuk janë dhënë detaje mbi shtetësinë e tij.
“Rreth orës 14:15 në rr. Rexhep Luci në Prishtinë është raportuar një rast ‘vjedhje e çantes’ nga një person i dyshuar. Njësia policore menjëherë ka reaguar me shpejtësi, ka arritur ta lokalizoj dhe identifikoj personin e dyshuar mashkull shtetas i huaj. Gjatë arrestimit të personit të dyshuar, i njëjti i ka rezistuar arrestimit nga policia duke i sulmuar zyrtarët policorë dhe duke iu shkaktuar lëndime trupore dy prej zyrtarëve. Zyrtarët policor kanë arritë që ta vënë nën kontroll duke e arrestuar të dyshuarin i cili është dërguar për trajtim mjekësor-psikiatrik”, ka thënë Hoxha.
KOHA ka siguruar edhe një video me pamje nga vendi i ngjarjes, ku shihet ambulanca që mori të dyshuarin pas arrestimit.