Kronikë

Vidhen para e stoli ari në shtëpinë e një kleriku fetar në Gjakovë

Një person të hënën në mëngjes ka raportuar në Policinë e Kosovës se në shtëpinë e tij në Gjakovë, i është vjedhur një shumë e konsiderueshme e parave dhe disa stoli të arit.

Rastin e ka konfirmuar për KOHËN, zëdhënësi i Policisë për rajonin e Gjakovës, Sheremet Elezaj.

“Sot në mëngjes ankuesi mashkull, kosovar ka raportuar në polici se person-a të dyshuar të panjohur, kishin hyrë në shtëpinë e tij në rrugën ‘Mazllum Lakuci’ në Gjakovë dhe i kishin vjedhur një shumë të konsiderueshme parash (në valuta të ndryshme) dhe disa stoli ari. Rasti është duke u hetuar në drejtim të veprës penale ‘Vjedhje e rëndë’”, ka theksuar Elezaj.

KOHA ka mësuar se personi i cili e ka raportuar rastin është klerik fetar.

Sipas burimeve nuk dihet shuma e saktë e parave të vjedhura.