Një 47-vjeçar ka vdekur paraditen e së enjtes në fshatin Stanqiq të Gjilanit, si pasojë e rrokullisjes së traktorit, me të cilin ishte duke punuar në mal.
Zëdhënësi i Policisë për rajonin e Gjilanit, Ismet Hashani, ka thënë për KOHËN se viktima ka qenë duke prerë dru dhe gjatë tërheqjes së druve, traktori është rrokullisur.
Mjeku në vendin e ngjarjes ka konstatuar se personi është pa shenja jete.
“Ju njoftojmë se sot më 25.08.2022 rreth orës 11:10 kemi pranuar informatën se në fshatin Stanqiq, komuna e Gjilanit, në mal një person i moshës 47-vjeçar, ka qenë duke prerë dru dhe gjatë tërheqjes së druve traktori është rrokullisur e si pasojë viktima ka pësuar lëndime të rënda trupore. Lidhur me këtë rast janë njoftuar menjëherë patrulla, ndihma e parë dhe njësiti përkatës. Mjeku në vendin e ngjarjes ka mundur vetëm ta konstatojë se personi është pa shenja jete”, ka thënë Hashani.
Sipas tij, trupi i pajetë i viktimës është dërguar për obduksion.