Një 36-vjeçar vdiq të enjten në Podujevë pasi ishte paraqitur në një qendër të mjekësisë familjare me simptoma të gripit sezonal.
Por, pas fillimit të marrjes së infuzionit të njëjtit i është përkeqësuar gjendja shëndetësore e megjithë përpjekjet e stafit mjekësor, ai ka vdekur.
Drejtoresha e Shëndetësisë në Komunën e Podujevës, Adelina Stublla, ka thënë se mjeku familjar i kishte përshkruar terapi infuzive, e gjatë marrjes së saj i janë shfaqur probleme.
“Rasti ka ndodhur dje ku pacienti ka kërkuar ndihmë mjekësore në mjekësi familjare ku është kontrolluar nga mjeku specialist familjar e e cila ka caktuar marrje të terapisë infuzive ku gjatë marrjes së infuzionit ka ndodhë përkeqësim i gjendjes së pacientit ku i njëjti është reanimuar nga stafi shëndetësor (mes tyre edhe dy specialiste të mjekësisë familjare) në dhomën e reanimimit pastaj kanë vazhduar dy ekipe të urgjencës ku vet shefi i urgjencës specialist për emergjencë e ka marr rastin në dorë të cilët kanë kryer veprimet protokollare, por pa sukses rikthimi në jetë”, i ka thënë ajo KOHËS.
Stublla ka shtuar se trupi është dërguar për autopsi për të sqaruar shkakun e vdekjes.
Për rastin ka njoftuar edhe Policia e Kosovës në raportin 24-orësh.
"Lidhur me rastin e lartcekur ekipi mjekësor ka konstatuar vdekjen e viktimës mashkull kosovar dhe më pas me urdhër të prokurorit kompetent trupi i pajetë i viktimës është dërguar në IML për obduksion", thuhet në raportin 24-orësh të Policisë.