Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Kronikë

Vdiq në Zvicër një 16-vjeçar nga Kosova, u përplas me veturë në murin e një shtëpie

Vetura Mercedes e përplasur në murin e një shtëpie - në aksidentin ku vdiq një 16-vjeçar nga Kosova

Foto: Blick

Një 16-vjeçar nga Kosova humbi jetën në orët e hershme të së premtes në një aksident trafiku që ndodhi në Wohlen në rajonin Aargau të Zvicrës, raporton “Blick”

Në aksident humbën jetën dy të rinj – 16-vjeçari që po e drejtonte veturën dhe një 19-vjeçar me shtetësi zviceran – ka njoftuar Policia Kantonale e Aargaut. Po ashtu u lëndua rëndë një i ri tjetër. Të dy viktimat jetonin në Zvicër. Zëdhënësi i Policisë Kantionale të Aargaut, Bernhard Graser, tregoi për “BRK News” se 16-vjeçari nga Kosova po drejtonte veturën, ndërsa doli nga rruga, kaloi nëpër një kopsht, u përplas në një pemë dhe më pas në murin e një shtëpie. 

Banorët vendas i dolën në ndihmë të rinjve dhe më pas erdhën edhe shërbimi i urgjencës dhe zyrtarët policorë. 

“Ata hasën në një skenë të tmerrshme”, tha Graser. 

Ende nuk është e qartë arsyeja pse 16-vjeçari po e drejtonte veturën. 

“Kemi nisur hetimet”, thotë Graser. 

Edhe Tre kosovarë aksidentohen për vdekje në Gjermani Arbëri Tre kosovarë aksidentohen për vdekje në Gjermani

Dyshohet se të rinjtë ishin duke kaluar me shpejtësi dukshëm më të madhe se 30 kilometra në orë, sa ishte e lejuar në atë zonë. 

Zyra e prokurorit publik ka nisur hetimet dhe ka urdhëruar marrjen e mostrave të gjakut dhe urinës. Mercedesi ishte shkatërruar plotësisht, ndërsa policia ka thënë se i përkiste vëllait të 16-vjeçarit me origjinë nga Kosova.