Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Kronikë

Vdes rahoveciani që e zuri traktori gjatë servisimit

Një person ka humbur jetën pasi e ka zënë traktori, të cilin ishte duke e servisuar gjatë së mërkurës në shtëpinë e tij në Rahovec.

Rasti kishte ndodhur rreth orës 16:00, ndërsa viktima ishte dërguar fillimisht në Qendrën Kryesore të Mjekësisë Familjare në qytet, e për shkak të lëndimeve serioze, u dërgua në Spitalin e Përgjithshëm në Gjakovë.

Zëdhënësi i Policisë për rajonin e Gjakovës, Nysret Xhurkaj, i ka thënë KOHËS, se viktima ka vdekur rrugës për në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës (QKUK).

“Nga aty është transportuar për në QKUK, Prishtinë. Rrugës për në Prishtinë, viktima ka vdekur. Në vendin e ngjarjes ka dalë policia dhe aty është kuptuar se i ndjeri ishte duke e servisuar traktorin në oborrin e tij dhe gjatë punës traktori ka lëvizur”, ka thënë Xhurkaj.

Në konsultim me prokurorin, pas intervistimit të familjarëve, trupi i pajetë i është kthyer familjes për kryerjen e ceremonisë së varrimit.

Artikuj të ngjashëm