Policia e Kosovës ka arrestuar të martën tre persona të dyshuar për mashtrim. Të dyshuarit thuhet se në bashkëveprim kishin mashtruar dhjetë gra, ish-pjesëmarrëse në luftërat në Siri e Irak duke ju premtuar donacione në emër të integrimit të tyre në shoqërinë kosovare.
Ato janë bindur të aplikojnë për marrjen e donacioneve në një institucion mikrofinanciar me seli në Prishtinë, duke ju thënë se po marrin donacione, por në fakt po nënshkruanin kontrata për kredi në vlerë 4500 deri 5000 euro.
Policia ka thënë se R.D. dyshohet se ka identifikuar viktimat dhe i ka dërguar në institucionin mikrofinancar, e V.G. zyrtar në institucion përplikonte dosjen, ndërsa i dyshuari A.H. aprovonte kreditë në cilësinë e menaxherit të institucionit.
Pas daljes së mjeteve në llogaritë bankare të palëve, i dyshuari R.D. shkonte së bashku me palët në banka dhe tërhiqte mjetet dhe u jepte palëve nga 500 euro, ndërsa mjetet tjera i merrte “në emër të pagesave për zyrtarët të cilët i kanë kryer shërbimet”.
“Palët ankuese e kanë kuptuar mashtrimin në kohen kur institucioni mikrofinaciar ju ka kërkuar atyre fillimin e pagesave të kredisë. Deri më tani janë intervistuar 10/persona palë të dëmtuara, ku vlera e dëmit llogaritet të jetë 45,000.00 euro”, ka njoftuar Policia e Kosovës.
Të dyshuarve R.D. dhe V.G. i është caktuar masa e ndalimit prej 48 orëve, ndërsa i dyshuari A.H. është liruar në procedurë të rregullt.
“Të gjitha veprimet, përfshirë masat e veçanta të hetimit janë kryer nën mbikëqyrje dhe koordinim të Prokurorit të lëndës nga Prokuroria Themelore në Prishtinë dhe vendimet tjera do të ndërmerren në bashkërendim të plotë”, ka njoftuar Policia.