Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Kronikë

U caktohet masa e paraburgimit punëtorëve të kompanisë së funeraleve që ngatërruan kufomat

Dy punëtorëve të kompanisë së funeraleve, që ngatërruan kufomat e COVID-19, dhe që pas varrimit të njërës kufomë tentuan edhe një herë ndërrimin, u është caktuar masa e paraburgimit prej një muaji.

Sipas Gjykatës Themelore në Prizren, punëtorët dyshohen për veprën penale të dëmtimit të varreve apo kufomave.

KOHA raportoi të enjten për arrestimin e punëtorëve dhe ngatërrimin e kufomave. Një grua nga Istogu ishte bartur gabimisht dhe ishte varrosur në Prizren. Pasi kuptoi gabimin, kompania tentoi ta bëjë sërish ndërrimin e kufomave dhe është bërë zhvarrimi i viktimës që ishte varrosur gabimisht. Kjo u bë pa njoftuar Policinë. Trupi i zhvarrosur është kthyer sërish në Prishtinë.

Gjykata ka thënë se masa e paraburgimit është caktuar për shkak të konstatimit se nëse të pandehurit lihen në liri mund të asgjësojnë apo fshehin provat dhe të ndikojnë te dëshmitarët.

“Gjithashtu, Gjykata ka marrë parasysh edhe peshën dhe mënyrën e kryerjes së veprës penale, me veprimet e tyre të pandehurit kanë cenuar rëndë ndjenjat e familjarëve të të ndjerëve, si dhe duke marrë parasysh vendosmërinë e të pandehurve për të kryer veprën penale, Gjykata ka ardhur në përfundim se caktimi i paraburgimit në këtë fazë është i domosdoshëm dhe i arsyeshëm”, thuhet në njoftim.