Arbëri

Kompania e funeraleve ngatërroi dy kufoma të COVID-19, njërën e zhvarrosi pasi kuptoi gabimin

Një ngatërresë në bartjen e dy kufomave të Covid-19 ka aktivizuar Prokurorinë e Prizrenit. Kompania për bartjen e funeraleve ka ngatërruar kufomën e një gruaje nga Istogu duke e bartur për në Prizren. Kjo grua u varros në këtë qytet pasi që familja mendonte që në arkivol është familjari i tyre 77-vjeça që kishte vdekur në të njëjtën ditë nga COVIDI. Kompania pasi e kuptoi gabimin tentuan të bëjnë sërish ndërrimin e kufomave. Policia e Kosovës i ka arrestuar këta dy punëtorë të saj.

Në orët e para të mëngjesit të së enjtes një grua 80-vjeçare nga Istogu kishte vdekur në QKUK nga COVID-19.

Disa orë me herët kishte vdekur një 75-vjeçar nga Prizreni.

Kufomat e tyre u ngatërruan nga kompania që ShSKUK-ja e ka kontraktuar për bartjen e tyre dhe kryerjen e ceremonisë së varrimit.

Nga kompania e kontraktuar, sipas Prokurorisë Themelore në Prizren, për këtë çështje u arrestuan dy punëtorë.

Familja në Prizren e kishte varrosur viktimën e cila në fakt ishte nga Istogu.

“Të dyshuarit E.R., dhe M.N. nga Klinika Infektive kanë tërhequr trupin e pajetë të viktimës Z.D., së bashku me dokumentacionin e nevojshëm përcjellës, duke menduar se kanë tërhequr trupin e pajetë të viktimës H.K. Trupi i pajetë i viktimës Z.D., rreth orës 14:30, është dërguar në varrezat e qytetit në Prizren dhe iu është dorëzuar familjarëve të viktimës H.K. dhe familja e tij e kanë varrosur në varrezat e qytetit në Prizren, duke menduar se është trupi i familjarit të tyre H.K. Më pastaj, është kuptuar se është bërë ngatërrimi i kufomave dhe se në varrezat e qytetit në Prizren është varrosur gabimisht trupi i pajetë i viktimës Z.D.”, thuhet në njoftimin e Prokurorisë.

Pasi punëtorët e kompanisë së kontraktuar e kanë kuptuar gabimin, sipas Prokurorisë, dy punëtorët kanë tentuar që t’i ndërrojnë kufomat.

“Me të kuptuar gabimin e ndodhur, të dyshuarit E.R. dhe M.N. sërish janë kthyer në Klinikën Infektive dhe nga aty kanë tërhequr trupin e pajetë të viktimës H.K. dhe e kanë dërguar në varrezat e qytetit në Prizren. Të dyshuarit e lartcekur, rreth orës 18:00, kanë paguar 300 euro disa persona që të bëjnë zhvarrimin e trupit të pajetë të viktimës Z.D. dhe në të njëjtin varr, kanë varrosur viktimën H.K. E gjithë kjo është kryer pa prezencën e familjarëve të viktimës H.K. dhe pa njoftuar zyrtarët policorë. Më pastaj, trupi i zhvarrosur viktimës Z.D. është kthyer sërish në Prishtinë”, sipas Prokurorisë.

Më këto veprime, sipas Prokurorisë, të dyshuarit E.R. dhe M.N. kanë përmbushur elementet e veprës penale “Dëmtimi i varreve apo kufomave”.

KOHA ka provuar të kontaktojë me QKUK-në, por ata kanë thënë se nuk kanë çfarë të deklarohen për këtë rast për shkak që është duke u marrë hetuesia me të.