Tre shqiptarë janë vrarë pas një mosmarrëveshjeje mes dy bandave në mbrëmjen e së shtunës në Athinë të Greqisë.
Ngjarja ka nisur në lagjen “Kato Patisia” të kryeqytetit, kur disa persona që po udhëtonin me një automjet të llojit “Mercedes” me targa shqiptare, është përplasur me drejtuesin e një motoçiklete, i cili mbeti i lënduar rëndë pasi u qëllua nga drejtuesi i veturës, A.T., ndërsa vdiq në spital gjatë orëve të para të së dielës.
Babai i personit që vdiq, ka ndjekur automjetin nga i cili u qëllua i biri i tij, dhe qëlloi me armë duke lënë të vdekur në vend drejtuesin e “Mercedesit”, shqiptarin me inicialet A.T., shkruan “TCH”.
Një tjetër person që ndodhej brenda automjetit “Mercedes”, nën kërcënimin e armës ka grabitur një veturë pas së cilës ishte vënë policia.
Njësitë policore i kanë bërë thirrje të dyshuarit të dorëzohet, por ai ka hapur zjarr ndaj tyre, duke lënë të plagosur dy policë. Pas përleshjes së armatosur, i dyshuari mbeti i vrarë, ndërsa dy policët e plagosur janë jashtë rrezikut për jetë.
Organet përkatëse vlerësojnë se bëhet fjalë për përplasje personash të botës së krimit me qëllim larje hesapesh mes tyre.
Policia ka arrestuar një grua që ndodhej në veturën e tipit “Mercedes”, po mban në monitorim një person që teksa ka tentuar të ikë është përplasur nga një veturë me ç’rast ka marrë lëndime trupore, ndërsa ka shpallur në kërkim të paktën katër persona të tjerë, të gjithë shtetas shqiptarë.