Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Kronikë

Todosieviq dënohet me një vit burgim pasi e kishte quajtur trillim masakrën e Reçakut

Ish-ministri i MAPL-së, Ivan Todosieviq është dënuar me një vit burgim.

Kryetari i trupit gjykues ka thënë se zbatimi hyn në fuqi pasi vendimi ta marrë plotfuqishmërinë.

Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën.

Gazetaria profesionale është interes publik. Mbështetja juaj ndihmon që ajo të mbetet e pavarur dhe e besueshme. Kontribuoni edhe ju. 1 euro e bën dallimin.

Letër lexuesit — pse po kërkojmë mbështetjen tuaj Kontribuo

Departamenti Special në përbërje të gjyqtarëve Musa Konxheli me anëtarët Valon Kurtaj, Valbona Musliu-Selimaj ka bërë rikualifikim të veprës penale për veprimet ‘nxitje e urrejtjes, përçarjes kombëtare, etnike apo racore’.

I akuzuari është fajtor sepse në periudhën kohore derisa ishte në pozitën e ministrit të MAPL-së në Qeveri ka nxitur me dashje dhe ka përhapur urrejtje përçarje mes grupeve kombëtarë, racore e etnike që jetojnë në Republikën e Kosovës.

Avokati Nebojsha Vllaiq ka paralajmëruar se do ta apelojë vendimin brenda afatit ligjor prej 15 ditëve. 

Ish-ministrit i është ngritur aktakuza në korrik të 2019-ës pasi më 2018 kishte quajtur trillim masakrën e Reçakut, ku në janar të vitit 1999 ishin vrarë 45 civilë nga ushtria e shtetit serb.

Ndryshe, Todosieviq ishte dënuar me dy vjet burgim nga shkalla e parë më 5 dhjetor 2019, për veprën penale “Nxitja e urrejtjes, përçarjes ose mos durimit kombëtar, racor, fetar apo etnik”.

Ky dënim ishte vërtetuar nga Gjykata e Apelit në gusht të këtij vitit të kaluar.

Në vendimin e Gjykatës së Apelit, thuhej se aktgjykimi i shkallës së parë nuk është përfshirë me shkeljet esenciale të dispozitave të procedurës penale dhe se në dispozitivin e aktgjykimit janë përshkuar në tërësi veprimet inkriminuese të cilat formojnë elementet e veprës penale për të cilin ishte shpallur fajtor i akuzuari.

Apeli kishte vlerësuar se aktgjykimi i Themelores është i qartë dhe i kuptueshëm, e se në arsyetim janë dhënë arsye të qarta për faktet vendimtare dhe arsyet në të cilat është bazuar me rastin e zgjidhjes së kësaj çështje juridike, për të cilat arsye edhe kjo gjykatë i aprovon si të drejta dhe ligjore.

Ndryshe, Todosieviq kishte qenë ministër i Ministrisë së Administrimit të Pushtetit Lokal (MAPL), në Qeverinë e Kosovës, nga radhët e Listës Serbe, e cila ishte në bashkëqeverisje me PDK-në, AAK-në, Nismën Socialdemokrate dhe AKR-në.

Ish-kryeministri Ramush Haradinaj, në prill të vitit 2019, e kishte shkarkuar atë nga kjo pozitë, pas deklaratës që kishte dhënë lidhur me masakrën e Reçakut.

Sipas aktakuzës së ngritur më 28 qershor 2019, i pandehuri në cilësinë e Ministrit të Administratës dhe Pushtetit Lokal, duke keqpërdorur pozitën apo autorizimin e tij, me dashje, ka nxitur dhe përhapur publikisht urrejtje, përçarje dhe mosdurim midis grupeve kombëtare, racore dhe etnike që jetojnë në Republikës e Kosovës.

Sipas akuzës, më 24 mars 2019, në rrugën “Kralj Milutin” në Zveçan, në cilësinë e pjesëmarrësit dhe folësit në tubimin qytetar kundër intervenimit të NATO-s, në vitin 1999 në Kosovë, të ashtuquajtur “në kujtim të viktimave të bombardimeve të NATO-s”, shprehet se “Arsyeja për agresionin në shtetin tonë ka qenë e ashtuquajtura katastrofë humanitare në Kosovë e Metohi… Masakra e Reçakut ishte trillim… Janë terroristët shqiptarë që e trilluan gjithë këtë dhe bënë krimet më të mëdha në Kosovë e Metohi… Për këtë, sot e kësaj dite askush nuk ka dhënë përgjegjësi…Kanë bërë krime para agresionit të NATO-s, kanë vrarë shtëpiak të mirë serb dhe policë në vendin e tyre të punës… gjak pirjen e tyre e kanë vazhduar edhe gjatë agresionit edhe pas ardhjes të së ashtuquajturës mision paqësor në Kosovë e Metohi”, veprime këto të cilat mund të prishin rendin publik ose të shkaktojnë pasoja tjera më të rënda në Republikën e Kosovës.