Lista Serbe ka reaguar pasi është dënuar me një vit burgim anëtari i kryesisë të kësaj partie Ivan Todosieviq.
Todosieviq u dënua për nxitje të urrejtjes, përkatësisht pasi e kishte quajtur trillim Masakrën e Reçakut, në kohën kur ishte ministër në Qeverinë e Kosovës.
Lista Serbe ka thënë se “gjyqësori i Prishtinës po vazhdon të godasë dhe persekutojë serbët në Kosovë e M. me qëllim që të frikësojë dhe të dëbojë popullin tonë”.
Lista Serbe e ka quajtur vendimin e turpshëm, të pabazë dhe të motivuar politikisht.
“Është paradoksale që serbët të dënohen për qëndrimin dhe mendimin e tyre, dhe ata që vranë dhe dëbuan serbët lirohen përkundër shumë provave, si dhe asnjë zyrtar shqiptar nuk u thirr në përgjegjësi kur u kërcënuan serbët se do të zhdukeshin nga Kosova e M. apo do të na bëjnë salsiçe”, thuhet në reagim.
Nga Lista Serbe është thënë se do të apelohet vendimi, ndërsa është shtuar se do të informohen edhe përfaqësuesit ndërkombëtarë, veçanërisht ata që merren me të drejtat e njeriut.
“Vendimi i sotëm do të jetë shembulli më i mirë se sa shumë Prishtina kujdeset për sundimin e ligjit”, thuhet në reagim.