Zyrtari i Listës Serbe, Ivan Todosieviq, është dënuar të mërkurën me një vit burgim - në seancën e rigjykimit - për “përhapje të urrejtjes dhe jotolerancës”, ka konfirmuar për Radion Evropa e Lirë, avokati e tij, Nebojsha Vllaiq.
Todosieviq pati deklaruar në mars të vitit 2019 se "arsye për agresionin e NATO-s ka qenë e ashtuquajtura katastrofë humanitare në Kosovë dhe masakra e trilluar e Reçakut”.
Drejtori i Zyrës për Kosovën në Qeverinë e Serbisë, Petar Petkoviq, ka thënë se dënimi ndaj Todosieviqit është “i turpshëm, i motivuar etnikisht dhe politikisht”.
Sipas tij, aktgjykimi ka treguar se serbëve në Kosovë u mohohet liria e fjalës dhe se autoritetet e Kosovës, në fakt po përhapin "urrejtje dhe jotolerancë racore, fetare dhe etnike ndaj serbëve".
“Nuk ka dyshim se ky aktgjykim është llogaritur me kujdes në Prishtinë, me qëllim të shkaktimit të tensioneve të reja dhe krizës në mesin e popullit serb, veçanërisht në veri të krahinës, sepse asnjë serb në Kosovë dhe Metohi nuk mund të shikojë pozitivisht këtë lloj hakmarrjeje, kundër njërit prej tyre”, ka thënë Petkoviq.
Edhe
Todosijeviq lirohet nga akuzat pas deklaratës për Reçakun
Ai u ka bërë thirrje serbëve që të mos bien në “provokime të paramenduara” dhe të qëndrojnë të qetë.
Kronologjia e rastit
Deklarata e Todosieviqit përkonte me 20-vjetorin e fillimit të bombardimeve të NATO-s në caqet e ish-ushtrisë jugosllave - fushatë kjo që i dha fund luftës në Kosovë.
Ai në atë kohë mbante postin e ministrit të Administratës dhe Vetëqeverisjes Lokale në Qeverinë e Kosovës, por u shkarkua nga kryeministri i atëhershëm i Qeverisë së Kosovës, Ramush Haradinaj.
Ai është dënuar fillimisht me dy vjet burgim nga Gjykata Themelore në Prishtinë, por Gjykata Supreme e Kosovës e pati kthyer rastin në rigjykim, në fund të dhjetorit të vitit të kaluar.
Në mbrojtje të tij shpeshherë del edhe presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq.
Ai e ka përmendur Todosieviqin edhe më 13 shtator, kur u ka folur deputetëve për dialogun me Kosovën.
Edhe
Arsyetimi i Supremes për lirimin e Todosijeviqit që mohoi Masakrën e Reçakut
"Dua t'ju kujtoj Ivan Todosieviqin... i dënuar me dy vjet, sepse tha se Raçaku ishte mashtrim. Unë e thashë atë gjë po të njëjtën ditë. Dua të marr anën e lirisë së shprehjes së mendimit”, ka thënë Vuçiq, duke shtuar se serbët në Kosovë nuk e kanë lirinë e shprehjes, dhe se ata përballen me aktakuza “të fshehura apo publike”.
Masakra e Reçakut, njihet si një nga ngjarjet që ka shënuar kthesë në diplomacinë ndërkombëtare në raport me Serbinë dhe Kosovën, duke u paraprirë proceseve që çuan te fushata e bombardimeve të NATO-s kundër caqeve ushtarake të Serbisë.
Vrasja e 45 civilëve shqiptarë nga forcat paramilitare serbe në Reçak ishte cilësuar "krim kundër njerëzimit" nga ish-shefi i Misionit Verifikues në Kosovë, ambasadori, William Walker.
Në zgjedhjet parlamentare të mbajtura në Kosovë në shkurt 2021, Todosieviq mori mbështetjen e votuesve dhe u zgjodh një nga dhjetë deputetët e Listës Serbe.
Ai mban edhe pozitën e kryetarit të Zveçanit në kuadër të strukturave paralele serbe në Kosovë.
Atij i është shtyrë vuajtja e dënimit me burgim dy herë më 2021: herën e parë për shkak se “ishte jashtë vendit” dhe herën e dytë për “arsye shëndetësore”.
Edhe
Lista Serbe e quan të motivuar politikisht dënimin e Todosijeviqit
Todosieviq është dashur të paraqitej për herë të parë, për të vuajtur dënimin me burgim, më 6 tetor 2021.
Në disa raste, Todosieviq është “mbrojtur” nga Lista Serbe, e cila ka kërcënuar se do të japë dorëheqje nga institucionet, nëse ai merr dënim të plotfuqishëm./ REL