Pastiçeria "Sharr" në Mitrovicë të Veriut është sulmuar me koktej molotovi mëngjesin e 14 korrikut, ka njoftuar Policia e Kosovës.
Zëvendësdrejtori i Policisë së Kosovës për rajonin e veriut, Veton Elshani, ka konfirmuar se rasti ka ndodhur rreth orës 03:30.
Ai ka thënë se dëmet materiale janë të vogla, ndërsa policia ende nuk ka identifikuar ndonjë të dyshuar.
Ditë më parë ministri i Punëve të Brendshme i Kosovës, Xhelal Sveçla, së bashku me ish-kryetarin e Mitrovicës së Jugut, Agim Bahtiri, qëndruan në pastiçerinë që u bë cak i sulmit me koktej molotovi më 14 korrik.
Pronarët e lokalit janë pjesëtarë të komunitetit goran.
I pyetur nëse sulmi ndaj këtij lokali u krye në shenjë hakmarrjeje për vizitën e Sveçlës, Elshani tha se "nuk përjashtohet" mundësia që ky të jetë motivi i sulmit.
Sveçla dënon sulmin ndaj pastiçerisë në veri: Nuk zmbrapsemi
Ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla e ka dënuar sulmin me koktej molotovi në pastiçerinë “Sharr” në Mitrovicën e Veriut të dielën.
Sveçla u ka kërkuar organeve të rendit t’i identifikojnë sa më shpejt kryerësit e këtij sulmi dhe sjelljen e tyre para drejtësisë.
Ai u shpreh i bindur se sulmet e tilla nuk i frikësojnë e as ndalin qytetarët.
“Dënoj ashpër këtë sulm dhe kërkoj nga organet përkatëse në identifikimin sa më të shpejtë të kryesve e këtij akti kriminal dhe sjelljen e tyre para drejtësisë. Sulmet e tilla nuk do të na zmbrapsin assesi dhe jam i bindur se nuk do t’i frikësojnë e ndalin as qytetarët tanë. Rendi e ligji do të triumfojnë me çdo kusht mbi terrorin”, ka shkruar Sveçla në Facebook.
Ai ka shtuar se po punohet në neutralizimin e ndikimit të grupeve kriminale të Serbisë në masë.
“Lufta jonë e pandalshme ndaj grupeve kriminale të Serbisë dhe neutralizimi i ndikimit të tyre në masë ka arritur të krijojë normalitet jetese me ç’rast shumë qytetarë tanë atje kanë filluar të krijojnë mundësitë për zhvillimin e tyre. Ky fakt duket se i pengon edhe disa mbetjeve kriminale të Serbisë në veri me ç’rast në mëngjesin e sotëm jam njoftuar se është sulmuar me koktej molotovi pastiçeria ‘Sharr’ në Mitrovicën e Veriut”, ka thënë ai.