Policia e Kosovës ka njoftuar se dy policë janë sulmuar në Graçanicë, në kohën sa kanë qenë duke e kryer detyrën zyrtare.
Dy të dyshuarit për sulmin janë arrestuar dhe u është caktuar masa a ndalimit për 48 orë, ndërsa policët e sulmuar kanë pranuar tretman mjekësor.
Ngjarja ka ndodhur të enjten në mbrëmje. Rasti po trajtohet si pengim i personit zyrtar gjatë kryerjes së detyrës zyrtare dhe sulm ndaj personit zyrtar.
“Janë arrestuar dy të dyshuar meshkuj kosovarë për shkak se i kanë penguar dhe sulmuar fizikisht dy zyrtarë policorë derisa kanë qenë në kryerje të detyrës zyrtare, ku si pasojë dy zyrtarët policorë kanë pësuar lëndime trupore dhe kanë pranuar tretman mjekësor. Në vendin e ngjarjes kanë dalë njësitë relevante policore dhe prokurori kujdestar i cili ndaj të dyshuarve ka caktuar masën e ndalimit për 48 orë dhe nën mbikëqyrjen e njësitit policor kompetent kanë pranuar tretman mjekësor. Rasti nën hetime", thuhet në raportin e Policisë.