Kronikë

Si ndodhi grabitja e 10 mijë eurove në autostradë

Tre persona të paidentifikuar, janë vënë në kërkim të Policisë, pasi në orët e mëngjesit kanë kryer grabitje të armatosur në autostradën në fshatin Duhël të Suharekës. Nga automjeti që ka qenë në shërbim të një poste private e të cilin e kanë ndaluar nën kërcënimin e armës, ata, sipas policisë, kanë grabitur një shumë prej rreth 10 mijë eurosh. Të dyshuarit janë në arrati dhe ende nuk janë identifikuar

Një grabitje e armatosur ka ndodhur mëngjesin e së premtes, në dalje të autostradës në fshatin Duhël të Suharekës. Ngjarja, sipas Policisë, ndodhi teksa automjeti ka kryer shërbim për postë private.

Shaqir Bytyqi, zëdhënës i Policisë për rajonin e Prizrenit, ka thënë se viktima A.B, i moshës 44-vjeçare, ka raportuar se është sulmuar nga persona të panjohur dhe se i janë marrë disa zarfe, brenda të cilave dyshohet se ka pasur edhe para.

“Persona të panjohur për të, e kanë ndalur në dalje të autostradës në Duhël dhe me anë të kërcënimit e kanë grabitur nga ai një shumë të caktuar, disa zarfe që ai ka pasë. Fillimisht ai nuk e ka ditë shumën e parave, për shkak që zarfet kanë qenë të mbyllura. Sipas viktimës, pasi që është bërë edhe njëherë rishikimi dhe janë marrë informata të tjera, është kuptuar se edhe pse në fillim nuk është ditë shuma. Shuma e grabitur është diku rreth 10 mijë euro, rreth 10 mijë euro, 10 mijë e 100 diçka”, ka thënë Bytyqi.

Për këtë rast, Bytyqi ka thënë se janë tre të dyshuar, të cilët menjëherë pas grabitjes, janë larguar nga vendi i ngjarjes.

“Viktima nuk ka pasur lëndime, personat kanë qenë tre persona të armatosur me armë të shkurtra, njëri ka qenë në automjet, kurse dy të tjerë e kanë kryer grabitjen. Ata janë larguar me një drejtim të panjohur, e që dyshohet ku sipas viktimës mund të jetë Golf4”, ka thënë ai.

Në Polici kanë thënë se janë duke u bërë hetime me qëllim të identifikimit dhe të arrestimit të të dyshuarve.

Sipas policisë, në rajonin e Prizrenit me rrethinë, nuk janë të raportuara raste të shumta të grabitjeve, porse për ato që janë raportuar, personat e dyshuar janë identifikuar dhe janë arrestuar.