Dogana e Kosovës ka njoftuar se ka sekuestruar telefona të kontrabanduar në vlerë prej 64 mijë 340 eurosh.
Në njoftimin e Doganës thuhet se ata janë sekuestruar pas një kontrolli në një subjekt afarist në Prishtinë, i cili merret me shitjen e telefonave mobil.
Sipas njoftimit kontrolli është kryer pas pranimit të një informacioni nga një qytetar përmes linjave të hapura për raportimin e kontrabandës dhe veprave të tjera penale.
“Pas verifikimeve paraprake, njësitet e Doganës kanë realizuar një kontroll të plotë të lokalit dhe hapësirave përcjellëse. Gjatë kontrollit, në një aneks shtesë (bodrum) është gjetur një kasafortë, brenda së cilës janë zbuluar: 49 copë iPhone 16 Pro Max, 1 copë iPhone 16 Pro, 12 copë iPhone 15 Pro, 9 copë Samsung A36 5G, 6 copë Samsung A56, 2 copë Samsung A26”, thuhet në njoftimin e Doganës.
Në njoftim thuhet se të gjithë këta telefona janë gjetur pa dokumentacion përcjellës për prejardhjen e tyre dhe dyshohet se janë futur në mënyrë të kundërligjshme në territorin e Republikës së Kosovës.
“Dogana e Kosovës ka ndërmarrë veprimet përkatëse ligjore ndaj subjektit në fjalë, duke sekuestruar mallin dhe duke iniciuar procedurat hetimore për kundërvajtje apo vepër penale, varësisht nga të gjeturat e mëtejme”, thuhet në njoftim.