Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Kronikë

Sekuestrohen dy armë që dyshohet se u përdorën në aheng familjar

Policia e Kosovës njoftoi se i ka sekuestruar dy armë zjarri mbrëmjen e së shtunës, që dyshohet se janë përdorur në një aheng familjar.

Autoritetet u kanë bërë thirrje qytetarëve që t'iu shmangen veprimeve të tilla, për shkak të sigurisë dhe me qëllim që “ceremonitë festive t'i kalojnë pa ndonjë incident”.

Policia shtoi se në raste të tilla, obligohet të fillojë kërkimin e armëve, të ndalojë kolona të dasmorëve për t'i kontrolluar dhe të ndërmarrë bastisje nëpër shtëpi ku dyshohet se ka armë.

“Nisur nga fakti se akoma është prezent si dukuri, përdorimi i armëve të zjarrit në ndeja dhe ahengje të ndryshme, strukturat operative rajonale të policisë po vazhdojnë punën për parandalimin e kësaj dukurie. Policia e Rajonit të Prishtinës, konform detyrimit ligjor që ka, obligohet që në rastet e tilla të filloj kërkimin për armët e përdorura në rast, të ndaloj kolonat e dasmorëve për t'i kontrolluar ato dhe personat e dyshuar dhe në situata të caktuara të ndërmarrë edhe bastisje në shtëpitë ku dyshohet për raste të tilla. Një nga këto kontrolle është realizuar mbrëmë nga zyrtarët e stacionit policor veriu në Prishtinë, të cilët kanë sekuestruar 2 armë zjarri të cilat dyshohet të jenë përdorë në aheng familjar”, thuhet në njoftim.