Kronikë

Rekomandohet suspendimi i polices që plagosi veten duke manipuluar me armën zyrtare

Policia e Kosoves

Inspektorati Policor i Kosovës (IPK) ka rekomanduar suspendimin e dy zyrtarëve policorë në dy raste të ndryshme. 

Njëri prej tyre dyshohet se ishte i përfshirë në një rast të shkrepjes së armës së zjarrit që thuhet se ka ndodhur në Prizren. 

“Pas daljes në vendin e ngjarjes dhe ndërmarrjes së disa veprimeve hetimore dyshohet se një zyrtare policore e cila ishte jashtë detyrës zyrtare, derisa ishte në shtëpinë e saj, duke manipuluar në mënyrë të pasigurt me armën zyrtare i shkrep arma  dhe e plagosë veten në këmbë”, thuhet në njoftim.

Pas incidentit zyrtarja policore është dërguar për tretman mjekësor në Prizren.

“Në konsultim me Prokurorinë Themelore në Prizren, ndaj zyrtares policor është iniciuar rast me dyshimin se e njëjta ka kryer veprën penale ‘Shkaktim i rrezikut të përgjithshëm’ kurse rasti do të hetohet në procedurë të rregullt”, thuhet në njoftim.

IPK-ja thuhet se ka rekomanduar suspendimin e zyrtares së përfshirë në këtë rast kurse arma e zyrtare e tipit Glock, është sekuestruar përkohësisht nga IPK-ja për qëllim të ekzaminimit.

Rasti i dystë është raportuar të ketë ndodhur po ashtu në Prizren ku një zyrtar policor jashtë detyrës zyrtare pas përfshirjes së tij në një incident së bashku edhe me një familjar të tij dyshohet se kanë sulmuar një qytetar duke i shkaktuar lëndime të lehta.

“IPK ka rekomanduar suspendimin e këtij zyrtari përderisa ndaj tij në konsultim me Prokurorinë Themelore në Prizren është iniciuar rast me dyshimin se ka kryer veprën penale ‘Lëndim i lehtë trupor’”, thuhet në njoftim.

Nga hetuesit e IPK-së thuhet se do të ndërmerren edhe veprime të tjera hetimore drejt ndriçimit të rrethanave të këtyre dy rasteve.