Në njoftimin e Gjykatës është bërë e ditur se të dyshuarve, 12 zyrtarë të ATK-së dhe një afarist, u është ndaluar që t’iu afrohen objekteve të Administratës Tatimore më pak se 500 metra, përderisa afaristit të dyshuar nuk do t’i lejohet që t’iu afrohet objekteve ku zhvillon bizneset e tij
Gjykata Themelore në Prishtinë ka refuzuar të enjten kërkesën e Prokurorisë për caktimin e masës së paraburgimit për 12 zyrtarët e Administratës Tatimore të Kosovës (ATK) dhe një afaristi, të cilët janë arrestuar të martën nën dyshimin se e kanë dëmtuar buxhetin për 2.8 milionë euro.
Në njoftimin e Gjykatës është bërë e ditur se të dyshuarve u është ndaluar që t’u afrohen objekteve të ATK-së më pak se 500 metra. As afaristi i dyshuar, sipas vendimit, nuk ka të drejtë t’u afrohet objekteve ku zhvillon bizneset e tij.
“Gjyqtari i procedurës paraprake e ka refuzuar kërkesën e Prokurorisë Themelore në Prishtinë për caktimin e masës së paraburgimit kundër trembëdhjetë të pandehurve si të pabazuar dhe po atyre, konform nenit 175 të KPPRK-së, u ka caktuar masën e ndalimit për t’iu afruar vendit apo personit të caktuar”, thuhet në vendimin e Gjykatës.
Në rast se të dyshuarit nuk i respektojnë ndalesat e vendosura nga Gjykata, atëherë është paraparë që ndaj tyre të hyjë në fuqi masa e paraburgimit.
“Mosrespektimi i kësaj mase nga ana e të pandehurve do të zëvendësohet me masën e paraburgimit. Kundër këtij aktvendimi palët e pakënaqura kanë të drejtë ankese në Gjykatën e Apelit, përmes Gjykatës Themelore në Prishtinë”, ka njoftuar Gjykata.
Në kërkesën e Prokurorisë për masën e paraburgimit, të cilën e ka siguruar KOHA, thuhet se njëri nga të dyshuarit, afaristi nga Prizreni, ka shtetësi edhe zvicerane dhe se ekziston mundësia e arratisjes. Në kërkesë është përmendur edhe fakti që dy biznesmenët nga Podujeva janë ende në kërkim nga policia.
“Vepra penale për të cilën dyshohen parasheh, po ashtu, një dënueshmëri të lartë me gjobë dhe me burgim efektiv deri në 12 vjet burgim. Andaj, po të gjenden në liri ata do të arratisen me qëllim të shmangies së përgjegjësisë penale e gjithashtu do ta pengojnë edhe rrjedhën e procedurës penale, pasi që prezenca e tyre në procedurë do të bëhej e pamundur”, theksohet në kërkesën e Prokurorisë.
Për zyrtarët e ATK-së, në kërkesën e Prokurorisë është theksuar se ata mund të ndikojnë te dëshmitarët dhe të asgjësojnë prova, pasi që kanë pozita të larta në administratë.
“Për më tepër konsiderojmë se të pandehurit do të pengojnë me ndikim dhe autoritetin e tyre edhe në mbledhjen e provave shtesë, personale dhe materiale, të cilat sipas të gjitha gjasave do të rezultojnë edhe në zgjerimin e hetimeve ndaj personave të tjerë zyrtarë që potencialisht janë të përfshirë me veprat e lartcekura penale”, thuhet në kërkesën e Prokurorisë.
13 të dyshuarit janë arrestuar me dyshimin se e kanë dëmtuar buxhetin me 2.8 milionë euro, duke kryer veprat penale: “Keqpërdorim i autorizimeve në ekonomi”, “Shmangie nga tatimi”, “Mashtrim në detyrë” dhe “Dokumente të rrejshme lidhur me tatimin”.