Videomateriale nga dëbimi i gjashtë shtetasve turq u këqyrën gjatë seancës të së martës në rastin që njihet si gylenistët.
Të akuzuar në këtë rast janë: ish-shefi i AKI-së, Driton Gashi, ish-shefi i Departamentit për Shtetësi, Azil e Migracion në Ministrinë e Punëve të Brendshme, Valon Krasniqi dhe ish shefi i Drejtorisë për Migrim dhe të Huaj në Policinë e Kosovës, Rrahman Sylejmani.
Të gjithë po akuzohen për keqpërdorim të detyrës zyrtare përgjatë procesit të dëbimit të gjashtë shtetasve turq, përveç Rrahman Sylejmanit, i cili akuzohet edhe për privim të kundërligjshëm nga liria.
Prokurorja e rastit, Habibe Salihi, tha se me videot e paraqitura vërtetohet prania e këtij të akuzuari në aeroport gjatë procesit të dëbimit.
Madje, sipas saj, në pamje vërehet edhe mëdyshja për dëbimin e Hasan Hysejin Gynakanit i dëbuar në vend të Hasan Hysejin Demirit i cili vazhdoi të qëndronte në Kosovë.
“Ja tregon fotografinë dhe aj bën me krye: jo, po përkundër kësaj vërehet shumë mirë se e deportojnë...Deportohet pa revokim të leje qëndrimit dhe pa urdhër për largim”, tha Salihi.
Avokati Flakron Sylejmani, ka kundërshtuar këto prova duke pretenduar se videot nuk vërtetojnë asgjë lidhur me të akuzuarin Rrahman Sylejmani.
“Prokurorja e nderuar u deklarua se në këtë incizim shihet se pala e mohon: se nuk është personi në fjalë. Është pak e vështirë të kuptohet kuptimi, pasi nuk jemi në gjendje të dëgjojmë fare. Andaj këto mbeten në nivel të pretendimeve dhe supozimeve pasi nuk jemi në gjendje t’i dëgjojmë”, tha avokati Sylejmani.
Për më shumë, avokatët e të akuzuarve kanë kërkuar që provat e klasifikuara të mbledhura prej komisionit hetimor parlamentar lidhur me këtë skandal, të mos shqyrtohen pasi askush prej palëve s'duhet të ketë qasje në to.
“Fizikisht janë shkepë kështu. As ne s’kemi guxuar t’i kemi e as ju
Nuk është dashur as ty të dorëzohen... Së pari duhet të mbyllet kjo seancë”, tha avokati i Driton Gashit, Florent Latifaj.
Këtë kërkesë e edhe pohimet e avokatit, i hodhi poshtë kryetarja e trupit gjykues, Violeta Namani. Ajo tha se gjykata do të vendosë se cilat prova i merr parasysh pavarësisht nëse janë të klasifikuara apo jo. Nga provat e klasifikuara tha se trupi gjykues do t’i shqyrtojë vetëm ato që janë të nevojshme për ecurinë e çështjes penale.
“Refuzohet propozimi i mbrojtësit avokat Florent Latifaj që të mbyllet seanca në këtë çështje penale për arsye se gjykata në vendim të kësaj seance nuk do ta bëjë leximin e provave të ofruara nga AKI-ja. Të njëjtat prova do t’i vlerësojë jashtë seance dhe do ta vlerësojë se cila provë mund të lexohet në këtë çështje penale”, tha Namani.
Skandali i dëbimit të gjashtë shtetasve turq nga Kosova për në Turqi në vitin 2018, pati nxitur reagime ndërkombëtare, ku Kosova u kritikua edhe shkelje të të drejtave të njeriut.
Gjashtë shtetasit turq janë dënuar si pjesë e lëvizjes politike të Fethuhllah Gulenit dhe aktualisht që të gjithë janë në burgje të Turqisë. Cihan Ozkan, Kahraman Demirez e Osman Karakaya janë dënuar me nga 7 vjet e gjysmë.
Me 8 vjet e gjashtë muaj është dënuar Hasan Huseyin Gunakan i cili u dëbua gabimisht. Me 10 vjet Yusuf Karabina. Ndërsa dënimin më të madh e mban Mustafa Erdem, 15 vjet burg.
Derisa Turqia e konsideron lëvizjen e Gylenit si terroriste, familjet e të dënuarve thonë se u janë shkelur të drejtat e tyre si në rastin e dëbimit në Kosovë dhe se në Turqi janë dënuar pa prova.