Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Kronikë

Rama: Vlerësimi i respektimit të standardeve të sigurisë është kompetencë e Inspektoratit të Punës

Perparim Rama

Kryetari i Prishtinës, Përparim Rama, ka reaguar pas rrëzimit të vinçit në një vendpunishte në rrugën “Holger Petersen”, ku një punëtor humbi jetën dhe një tjetër mbeti i lënduar, duke theksuar se vlerësimi i respektimit të standardeve të sigurisë dhe mbrojtjes në punë është kompetencë e Inspektoratit të Punës.

Përmes një reagimi, Rama ka shprehur ngushëllimet për familjen e viktimës dhe ka uruar shërim të shpejtë për punëtorin e lënduar.

“Me pikëllim të thellë mora lajmin për humbjen tragjike të jetës së një punëtori në aksidentin e sotëm në një vendpunishte ndërtimore në rrugën ‘Holger Petersen’. Në emrin tim dhe të Kryeqytetit, i shpreh ngushëllimet më të sinqerta familjes, ndërsa të lënduarit i uroj shërim sa më të shpejtë”, ka shkruar ai.

Rama ka falënderuar Brigadën Profesionale të Zjarrfikjes dhe Shpëtimit, Policinë e Kosovës, ekipet e Urgjencës Mjekësore, Njësinë për Reagim të Shpejtë dhe Siguri, si dhe Drejtorinë për Siguri dhe Emergjenca për reagimin e menjëhershëm dhe profesionalizmin e treguar gjatë ndërhyrjes.

Ai ka theksuar se rrethanat e aksidentit janë duke u hetuar nga organet kompetente.

Edhe Përplasje në distancë për vdekjen e punëtorit në Prishtinë Arbëri Përplasje në distancë për vdekjen e punëtorit në Prishtinë

“Rrethanat e aksidentit po hetohen nga organet kompetente. Vlerësimi i respektimit të standardeve të sigurisë dhe mbrojtjes në punë është kompetencë e Inspektoratit të Punës, institucion në kuadër të nivelit qendror, dhe presim që hetimet të zbardhin plotësisht shkaqet dhe përgjegjësitë për këtë rast”, ka deklaruar Rama.

Kryetari i Prishtinës ka theksuar se humbja e një jete në vendin e punës është një tragjedi që duhet të shërbejë si kujtesë se siguria në punë duhet të jetë prioritet i panegociueshëm dhe standard që respektohet në çdo vendpunishte.

E drejtori i Inspekcionit në Komunën e Prishtinës, Bekim Brestovci, ka thënë se Inspektorati Qendror i Punës është institucioni përgjegjës për të verifikuar ndër të tjera edhe nëse vinçi i është nënshkruar kontrolleve teknike të nevojshme. 

“Sipas legjislacionit në fuqi të Republikës së Kosovës, verifikimi i sigurisë teknike të vinçit (kranit), kontrolli i dokumentacionit teknik, inspektimi i pajisjes, si dhe mbikëqyrja e zbatimit të masave të sigurisë dhe shëndetit në punë janë kompetencë e Inspektoratit Qendror të Punës. Kjo nënkupton se Inspektorati Qendror i Punës është institucioni përgjegjës për të verifikuar, ndër të tjera, nëse vinçi i është nënshtruar kontrolleve teknike të nevojshme, nëse posedon dokumentacionin përkatës, nëse operatori ka autorizimet e nevojshme, si dhe nëse punëdhënësi ka zbatuar të gjitha standardet ligjore për sigurinë dhe shëndetin në punë. Ndërkaq, Inspektorati i Kryeqytetit, përkatësisht Inspektorati i Ndërtimit, ushtron kompetencat e tij në zbatim të Ligjit për Ndërtim, duke mbikëqyrur zbatimin e kushteve të lejes së ndërtimit, përputhshmërinë e punimeve me projektin e miratuar dhe legjislacionin përkatës, si dhe duke ndërmarrë masat administrative të parashikuara me ligj kur plotësohen kushtet ligjore”, ka shkruar Brestovci në Facebook. 

Ai ka thënë se kompetencat për kontrollin teknik, certifikimin dhe verifikimin e sigurisë së vinçit si pajisje pune i takojnë Inspektoratit Qendror të Punës, e Inspektorati i Kryeqytetit tha se ushtron kompetencat e tij në përputhje me Ligjin për Ndërtim. 

“Inspektorati i Kryeqytetit do të vazhdojë të bashkëpunojë me Policinë e Kosovës, Prokurorinë e Shtetit, Inspektoratin Qendror të Punës dhe institucionet e tjera kompetente për zbardhjen e plotë të rrethanave të këtij rasti”, ka shkruar Brestovci. 

Edhe Inspektorati i Punës pas vdekjes së punëtorit nga rrëzimi i vinçit: Herët të nxirren konstatime Arbëri Inspektorati i Punës pas vdekjes së punëtorit nga rrëzimi i vinçit: Herët të nxirren konstatime

Ministrja në detyrë e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor, Fitore Pacolli, në një reagim më herët kërkoi nga Komuna e Prishtinës të japë llogaridhënie të menjëhershme pas aksidentit tragjik.

Inspektorati i Punës ndërkohë bëri të ditur se vinçi u rrëzua gjatë montimit, teksa theksoi se duhet pritur ekspertiza për të kuptuar rrethanat që çuan në aksidentin tragjik. 

Lexo përditësimet tjera
Vinçi

Një 26-vjeçar humb jetën pas rrëzimit të vinçit në Prishtinë

Egzona MemaPërditësim (19:15) - Një person ka vdekur, ndërsa një tjetër është lënduar pas rënies së...