Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Kronikë

Qytetarit i zihen 30 mijë euro të padeklaruara në Vermicë

para

Dogana e Kosovës ka njoftuar se ka zbuluar 30 mijë euro të padeklaruara në pikën kufitare në Vërmicë.

Sipas njoftimit të Doganës rasti është evidentuar në hyrje të Republikës së Kosovës, ku për kontroll është paraqitur një kamion me gjysmërimorkio të zbrazët.

Gjatë intervistimit nga zyrtari doganor, drejtuesi i automjetit, shtetas i Republikës së Kosovës, thuhet se është pyetur nëse posedonte mallra ose mjete monetare që duhej të deklaroheshin pranë autoriteteve doganore, por ai ka deklaruar se nuk kishte asgjë për të paraqitur.

“Bazuar në analizën e rrezikut, është realizuar një kontroll i përbashkët nga zyrtarët e Doganës së Kosovës dhe Policisë së Kosovës. Gjatë kontrollit janë zbuluar mjete monetare të fshehura në dollapin e kamionit, si dhe një pjesë e tyre në jastëkun e shoferit. Si rezultat i kontrollit janë gjetur gjithsej 30,000 euro, në kartëmonedha prej 20, 50, 100 dhe 200 euro”, thuhet në njoftim.

Tutje thuhet se mjetet monetare janë ndaluar përkohësisht dhe rasti është proceduar në përputhje me dispozitat e Kodit Doganor dhe të Akcizave si dhe legjislacionit në fuqi që rregullon deklarimin e mjeteve monetare gjatë hyrjes dhe daljes nga territori doganor i Republikës së Kosovës. 

“Sipas legjislacionit, çdo person që transporton 10,000 euro ose më shumë, ose kundërvlerën e tyre në valuta të tjera apo instrumente të negociueshme, ka detyrim ligjor t'i deklarojë ato pranë autoriteteve doganore”, thuhet në njoftim.