Kronikë

Prokuroria kërkon paraburgimin e policit, dyshohet se e rrahu kundërvajtësin

Policia e Kosovës

Prokuroria Themelore në Prizren ka kërkuar paraburgim për zyrtarin policor i cili dyshohet për keqtrajtim të një qytetari, të cilin e kishin gjobitur për kundërvajtje për shkak të parkimit të palejuar.

Ngjarja ka ndodhur në mbrëmjen e 14 qershorit në rrugën “Ekrem Rexha” në Prizren. I pandehuri R.P. si polic, duke vepruar bashkë me kolegun N.B. dyshohet se e kanë keqtrajtuar të dëmtuarin S.F..

Fillimisht policët i kanë vënë gjobë për kundërvajtje për parkim të palejuar të dëmtuarit. Në atë moment, ai ka dalë nga një kafene afër dhe e ka hedhur gjobën në tokë. Pas kësaj, policët i kanë kërkuar dokumente identifikimi dhe pasi nuk iu bind urdhrit, policët tentuan ta arrestonin. Gjatë përpjekjes, kundërvajtësi ka rezistuar dhe në një moment policët e kanë rrëzuar.

Pasi ishte i shtrirë, polici R.P. dyshohet se e ka goditur disa herë me grushte në pjesën e kokës, kah syri dhe veshi duke i shkaktuar lëndime trupore.

Një ditë më parë, Inspektorati Policor njoftoi për suspendimin e policit.